Boksi, kampionati kombëtar i ndarë më dysh

Ndër të 32-të kampionatet e zhvilluara deri tani në historinë e sportit të boksit, ky i sivjetmi është kampionati më i vecantë
Shkodër
Ka filluar sot në Shkodër Kampionati Kombëtar i boksit për Të Rritur. Ndër të 32-të kampionatet e zhvilluara deri tani në historinë e sportit të boksit, ky i sivjetmi është kampionati më i vecantë, pasi për herë të parë sporti i dorezave, pas mosmarrëveshjeve të kohëve te fundit në lidhje me drejtimin e Federatës, është ndarë në dysh. Pak ditë më parë, njëri prej grupeve që pretendon se është i ligjshëm, ka organizuar Kampionatin Kombëtar në pallatin e sportit "Asllan Rusi", në Tiranë, duke shapllur "kampion" ekipin e Tiranës. Ndërkohë që sot, grupi tjetër ka mundësuar zhvillimin e kampionatit në qytetin e Shkodrës. Kryegjyqtari i këtij kampionati, Ramiz Sadushi, tha sot se "nëse në tre ditët e aktivitetit që u zhvilluan në kryeqytet, ishin 5 ekipe me 18 boksierë pjesëmarrës, duke realizuar vetëm 3 ndeshje zyrtare, 12 të tërhequr dhe 6 të pazhvilluara fare, në kampionatin që po zhvillohet në Shkodër janë 37 boksierë pjesëmarrës, përfaqësues të 6 ekipeve të Vllaznisë, Flamurtarit, Apolonisë, Tirana 2006, Rozafa dhe Tomorit, me sportistët më të mirë të vendit tonë". Pasditen e sotme kur kanë startuar takimet e ditës së parë, krahas tifozërise së zjarrtë shkodrane, ndodhej edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Bujar Leskaj, i cili ka vlerësuar organizimin shumë të mirë të kësaj veprimtarie. Nga takimet e ditës së parë kanë spikatur ato të zhvilluar midis Gavocit të Vllaznisë me Lamajn e Apolonisë, Selmanit të Tirana 2006 me Olldashin e Tomorit, si dhe të dy malazezëve Denis dhe Dejan Kerstaj, të cilët boksojnë nën siglën e ekipit privat, Rozafa, të Shkodrës, takime këto që janë fituar nga të parët.