E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqi: Kreu i Federatës së Futbollit, në gjyq për abuzim fondesh

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Haluk Ulusoj, dhe ish-drejtues dhe zyrtarë të tjerë sportivë, do të dalin përpara gjyqit, të akuzuar për shpërdorimin e fondeve, bëri të ditur dje agjencia shtetërore e lajmeve, "Anadollu Azhans". Aktakuza, e siguruar nga agjencia në fjalë, konsiston në atë që të pandehurit kishin shkelur ligjin dhe "kishin shpenzuar për përfitime personale dhe të të tjerëve... fonde institucionale që ia akordonin vetes". Prokurorët kanë kërkuar dënime me burg që luhaten nga 21 muaj, deri në 11 vjet e tre muaj burg në cështjen e ngritur kundër Ulusojit, ish-zëvendëspresidentëve, Ata Aksu dhe Orhan Saka, dhe ish-koordinatorit financiar, Haldun Kozakollu.
Federata Turke e Futbollit nuk ka bërë asnjë koment, por ngritja e kësaj cështjeje vjen pas akuzave të shumta për shitje ndeshjesh në kampionatin turk, të cilat, një prokuror turk deklaroi në gusht të këtij viti, se nuk do t'i hetonte, pasi kjo ishte jashtë jurisdiksionit. Ende nuk është caktuar një datë për gjyqin kundër krerëve të futbollit turk. Kjo akuzë vjen vetëm pak ditë pasi kreu i Federatës Turke të Futbollit, Ulusoji, bëri një vizitë në Shqipëri, ku u prit dhe zhvilloi takime me homologun e tij shqiptar, Armand Duka. Takimi i krerëve më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Turke të Futbollit u zhvillua më 18 tetor 2006, në mjediset e FSHF-së.
Në këtë takim, Federata Turke përfaqësohej nga Presidenti i saj, Haluk Ulusoj, dhe disa anëtarë të bordit drejtues, ndërsa FSHF përfaqësohej nga Presidenti Armand Duka, Zv/Presidenti Lutfi Nuri, Sekretari i Përgjithshëm, Roland Mici, dhe drejtues të tjerë. Tema kryesore e këtij takimi ishte vendosja e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve tona për zhvillimin e futbollit. Drejtuesit e Federatës Turke ishin të interesuar të kishin sa më shumë informacion lidhur me organizimin e futbollit në Shqipëri. Pasi është diskutuar rreth kërkesave dhe projekteve që i nevojiten futbollit, por edhe infrastrukturës sportive në Shqipëri, Z. Ulusoy dhe homologu i tij shqiptar, Duka, kanë arritur në një marrëveshje bashkëpunimi, që konsiston në disa pika.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›