E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blatter, i brengosur

Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, i cili ishte i pranishëm në Meksikë, në prezantimin e fanellës së këtij vendi për Botërorin 2010, i ka shpalosur disa brenga që ka Shtëpia e Futbollit Botëror rreth futbollistëve amerikano-jugorë, që luajnë kryesisht në Evropë.

Numri një i futbollit botëror theksoi se do të mundohet ta luftojë transferimin dhe marrjen e lehtë të pasaportës evropiane të futbollistëve amerikano-jugorë, që luajnë në kontinentin e vjetër.

Futbollistët amerikano-jugorë e kanë tepruar. Pjesa më e madhe vijnë nga Brazili dhe Argjentina, të cilët e marrin lehtë një pasaportë evropiane. Nevojitet të intervenohet. Janë 6 mijë futbollistë amerikano-jugorë profesionistë që luajnë në tërë botën. Jam në favor të rritjes së kohës që duhet ta kalojnë futbollistët e atjeshëm për natyralizimin e tyre, e cila aktualisht është 5 vjet, theksoi Blatter.

Sipas tij, janë shumë futbollistë të natyralizuar që luajnë për kombëtare të ndryshme, gjë të cilën Blatter dëshiron ta parandalojë. Në Evropë ka shumë kombëtare në të cilat luajnë futbollistë nga Amerika e Jugut, të cilët e kanë marrë pasaportën evropiane.

Më pas, Blatter e ka shprehur besimin e tij për organizimin e Botërorit Afrika e Jugut 2010. Situata në Afrikën e Jugut, shtatë muaj para fillimit të kompeticionit më të rëndësishëm në botë të futbollit, është e qartë. Organizimi është kritikuar mbi të gjitha në Evropë, por nuk kanë shkuar ta shohin se si është situata, theksoi më pas Blatter. Nga vera që shkoi, kur u mbajt Kupa e Konfederatave, në Afrikën e Jugut janë bërë ndryshime të mëdha pozitive, sidomos nëpër stadiumet e këtij kontinenti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›