E Shtunë, 31 Tetor 2026

FOL kritikon vonesën për riemërimin e gjyqtarëve

Lëvizja FOL ka shfaqur shqetësimin lidhur me vonesat në procesin e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ramadan Ilazi, koordinator i kësaj organizate, në një konferencë me gazetarë fajësoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se nuk ka bërë asgjë në rekomandimin e kandidatëve që kanë aplikuar për pozita në Gjykatën Supreme dhe në Prokurorinë e Kosovës.

Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor i Kosovës i ka dërguar emrat e të rekomanduarve më 18 shtator, ndërsa KGJK ende nuk ka bërë asnjë veprim konkrete në këtë drejtim. Dhe sipas informacioneve që ne kemi ende nuk ka filluar shqyrtimi i dosjeve. Kanë kaluar afër dy muaj dhe as më e vogla informatë rreth procesit nuk ka dalë nga KGJK, tha Ilazi.

Po ashtu, ai fajësoi KPGJK-në për monitorim jo të mirë të këtij procesi. Konform ligjit, KPGJK i ka ndihmuar Institutit Gjyqësor të Kosovës që të intervistojë kandidatët që kanë më pak se shtatë vjet pune. Ata kandidatë, mes tjerash, janë intervistuar nga anëtarë të komisionit, dy nga të cilët nuk e kanë kaluar as testin e etikës, tha Ilazi.

Procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nisur zyrtarisht sivjet në shkurt. I financuar nga Komisionit Evropian me 5.5 mil. dhe Qeveria Amerikane me 1 mil., procesi i riemërimit ka nisur zyrtarisht më 13 shkurt të vitit 2009. Sipas kësaj marrëveshje të nënshkruar procesi i riemërimit të gjyqtarëve është ndarë në katër faza ndërsa si i tillë është paraparë të përfundoj për 18-24 muaj. Faza e parë përfshinë testin e etikës, faza e dytë aplikimin për pozita në Gjykatën Supreme dhe në Prokurorinë e Kosovës, faza e tretë aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokurorit e Qarkut dhe faza e katërt aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokuroritë Komunale si dhe në Gjykatat për Kundërvajtje, thekson lëvizja FOL, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Nga 870 gjyqtarë, prokurorë e juristë të rinj që kanë hyrë në testin e etikës më 26 prill dhe 23 maj 2008, 200 prej tyre nuk kanë arritur që ti plotësojnë 30 nga 50 pyetjet që ishin kusht për kalueshmërinë e testit.

Distanca në kohë e mbajtjes së testit ndërmjet dy grupeve, ka bërë që në grupin e parë të ketë më pak kalueshmëri ndërsa në të dytin shumë më shumë, thekson FOL.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›