Blatter kërkon falje, por refuzon të dorëhiqet

Sepp Blatter ka kërkuar falje për komentet e tij kontroverse në lidhje me racizmin, por ka refuzuar të japë dorëheqje nga posti i presidentit të FIFA-s.
Blatter të mërkurën tha se diskriminimi racor mund të zgjidhet duke ia dhënë dorën njëri-tjetrit, dhe që atëherë 75-vjeçari ka marrë një varg kritikash nga të gjitha anët.
“Kjo dhemb dhe ende ndjehem i lënduar pasi nuk kam mundur ta imagjinoj një reagim të tillë. Kur ju keni bërë diçka që nuk është korrekte, mund të them vetëm se më vjen keq për gjithë ata njerëz të cilët janë prekur nga deklaratat e mia”, ka thënë Blatter për BBC.
“Unë nuk mund të jap dorëheqje. Pse duhet? Kur ju përballeni me një problem ju duhet të përballeni me problemin. Të largohem do të ishte krejtësisht e padrejtë dhe e pakrahasueshme me shpirtin tim luftarak, karakterin dhe energjinë”, ka shtuar zvicerani, i cili është zotuar se do të vazhdojë luftën kundër racizmit.