Blatter ndërmjetëson mes Kosovës e Serbisë

Komiteti ekzekutiv i Federatës Botërore të Futbollit – FIFA nuk është tërhequr nga vendimi i saj që Kosova nuk mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore pa lejen e Federatës së Futbollit të Serbisë, por megjithatë e ka caktuar kreun e kësaj organizate, Sepp Blatter që të ndërmjetësojë lidhur me këtë çështje.
Këtë lajm e ka pohuar sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili i ka thënë REL, se Blatter e ka bërë të ditur në Komitetin e ekzekutiv të FIFA-s përmbajtjen e letrës së kryeministrit të Kosovë, Hashim Thaçi, i cili kohë më parë ia kishte dërguar atij me kundërshtimin ndaj vendimit të FIFA-s që Kosova të marrë leje nga Serbia për ndeshjet ndërkombëtare miqësore.
“Zoti Blatter tha se është diskutuar gjerë e gjatë kjo çështje. Të them të drejtën, ka pasur tema shumë të rënda për çështjet organizative të FIFA-s dhe UEFA-s, por megjithatë është diskutuar dhe është vendosur që vetë zoti Blatter të autorizohet nga Komiteti Ekzekutiv që të bëjë përpjekje të flasë me palën serbe, por edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë Salihu./Indeksonline/