E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blatter nuk dorëzohet

Sepp Blatter refuzon të tërhiqet nga posti i presidentit të FIFA-s. Ai insiston se ende nuk e ka përfunduar misionin e tij, përmirësimin e imazhit të organizatës. Zvicerani befasohet nga reagimet që u zgjuan me komentet e tij për racizëm dhe ndërrimin e uniformës së futbollisteve, ndërsa mendon se mediet britanike e sulmojnë për shkak të hidhërimit për kandidaturën e dështuar të Anglisë për nikoqir të Kampionatit botëror 2018.

Sepp Blatter thotë se nuk mund të largohet nga posti i presidentit të FIFA-s, derisa të ketë përmirësuar imazhin e organizatës dhe tha se mediet britanike janë duke kërkuar hakmarrje për kandidaturën e dështuar për Kampionatin botëror 2018.

Blatter është përballur me kritika të vazhdueshme në Britani për lidershipin e tij të FIFA-s, ku me komentet e tij të fundit rreth racizmit zgjoi thirrje të freskëta për largim nga posti. Megjithatë, 75 vjeçari nuk ka ndërmend të tërhiqet.

“Nuk mund të tërhiqem tani” tha Blatter për Matin Dimanche.

“Nuk e kam përfunduar misionin tim, Ne duhet të përmirësojmë imazhin e organizatës. FIFA përfaqëson një popullatë prej 300 milionë njerëzish, madhësi gati e njëjtë sa Shtetet e Bashkuara. Në një shtet të madh si ky, mund të ketë krime dhe mashtrime, por askush asnjëherë nuk ka thënë se amerikanët nuk funksionojnë ose Kushtetuta e tyre është e keqe ose presidenti është i korruptuar”, shtoi gazeta zvicerane.

I pyetur nëse komentet e tij kontroverse rreth racizmit dhe futbollisteve me funde të shkurtra ishin të kalkuluar politikisht, ai tha: “Nuk ishte e kalkuluar. Unë them atë çfarë mendoj, është thjesht çështje e mendimit. Gjithmonë befasohem nga reagimet që zgjojnë. Isha i sinqertë. Funde për femra, çka thashë që ishte kaq shokuese? Shikojeni volejbollin, me veshmbathje të shkurtra. Ideja ime nuk ishte asgjë më ndryshe se kaq. Në rastin e racizmit, kam thënë se ofendimet në fushën e futbollit duhet të përfundojnë me shtrëngim duarsh. Njerëzit më pas dhanë përfundime se Blatter kishte mohuar ekzistimin e racizmit. Nuk i kalkuloj gjërat e tjera, nuk i provokoj ato, e them atë që e mendoj. Ju them se nëse analizojmë kohën time në FIFA, faktet janë në favor timin”.

Akuzat për korrupsion kundër FIFA-s nga mediet britanike përcollën dështimin e kandidaturës së Anglisë për nikoqir të Kampionatit botëror 2018. Blatter beson se ndjenja e hidhërimit është arsyeja kryesore pse ai është përballur me kritika të vazhdueshme nga mediet britanike.

“Në vitet ‘60 dhe ‘70, federatat kryesore sportive ishin në duart e britanikëve. Tani nuk është më ashtu. Anglia ka humbur fuqinë e saj, së fundmi për Kampionatin botëror 2018. Ata e kërkonin me ngulm, shumë më tepër se që kërkuan Olimpiadën. Ata menduan se futbolli po kthehej në shtëpi dhe Kampionati botëror ishte i sigurt i tyre, kur erdhën këtu me Beckhamin, Princin William dhe kryeministrin Cameron, ata ishin të sigurt se kishin fituar. Ata morën dy vota. Prej asaj kohe, ata kanë kërkuar çdo mënyrë për të arsyetuar humbjen e tyre”, përfundoi Blatter.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›