E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për këndelljen e Besës

Besa e ka bërë gati projektin për të dalë nga momentet e vështira të këtij sezoni. Pejanët i kanë filluar bisedimet me ish-futbollistët e këtij klubi, nga të cilët kërkojnë të rikthehen, për ta ndihmuar klubin e fëmijërisë së tyre. Kryetari Bakir Burri beson se do futbollistët si Nallbani, Zeka, Gashi, Haliti, Çekaj e të tjerë, do të kthehen ta ndihmojnë ekipin.

Besa po kalon momente të vështira këtë sezon. Skuadra pejane e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e gjashtë, por nuk është larg zonës së ekipeve të rrezikuara për të rënë nga Superliga.

Të vetëdijshëm për këtë, drejtuesit e klubit pejan kanë filluar t’i përvjelin mëngët, për t’iu qasur më seriozisht pjesës pranverore të sezonit. Kryesia e klubit bardhekuq ka filluar bisedimet me ish-lojtarët e këtij ekipi, të cilët janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur kryetari Bakir Burri.

“Kam biseduar me disa lojtarë pejanë që luajnë në klubet e tjera kosovare. Ua kemi bërë me dije që jemi të interesuar për ta. Nëse janë të interesuar që të ndërrojnë mjedis, mund të vijnë te ne, sepse kemi nevojë. Ndoshta nuk do të mund t’i paguajmë sa i paguajnë klubet aktuale, por ata janë rritur te ne dhe me siguri na kanë në konsideratë dhe e ndiejnë se duhet të na ndihmojnë”, deklaroi Burri për Express.

Më saktësisht, Besa do të mundohet t’i rikthejë futbollistët si Ilir Nallbani, i cili në vjeshtë luajti për Trepçën ’89, Fisnik Papuçin e Vëllaznimit, Haxhi Zekën, i cili gjatë verës i ishte bashkuar Deçanit, treshen e Ferronikelit, Dukagjin Gashi, Fitim Halitin e Granit Çekajn, Mensur Durakun (NK Nikshiç – Mal i Zi) dhe Fetim Kasapin (Mornar – Mali i Zi).

Burri është optimist se një pjesë e të lartpërmendurve do të rikthehen në klubin e zemrës, për ta ndihmuar atë. Ishin pikërisht këta futbollistë me të cilët vite më parë, ekipi nga Rrafshi i Dukagjinit mburrej dhe dominonte në futbollin kosovar.

Sidoqoftë, dimri është i gjatë dhe këta futbollistë kanë kohë të mendohen për propozimin që ua bëri Besa. Edhe pse, gjatë kësaj jave mund të ketë disa lëvizje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›