Bledi Strakosha - Jam i dashuruar, por nuk e di sa do zgjasë
Klotilda Harka
Bledi Strakosha rikthehet në “TV Klan” me emisionin “Blu”, pas një shkëputjeje të gjatë prej 3 vitesh. Jeta në qetësi, dhe ca sekrete që fshihen brenda apartamentit të tij, ku jeton i vetëm.
Bledi, rikthim i ri me emisionin “Blu” në TV Klan më 3 gusht. Do të ketë ndonjë të re?
Po natyrisht, e reja do të jenë personazhet e ftuar, të cilët edhe pse janë të rinj në moshë, e kanë nisur karrierën e tyre shumë herët. Po ashtu skenografia, dikur një pamje nga Sky Tower, kësaj here do të zëvendësohen me një pamje nga Mali i Dajtit. Tingujt e pianos, ku luan Etleva Turkeshi, do të vazhdojnë edhe këtë herë.
Pse ky rikthim, pas ndërprerjes në 2005?
Në fakt është cilësuar si format i suksesshëm, prandaj do të rikthehem. Me regjisorin Albert Minga, kemi përgatitur një emision, që do të transmetohet në orën 11:30, e në varësi të personazheve do të zgjasë 60-90 minuta.
Si në varësi të personazheve?
Po varet nga të ftuarit, se sa shumë kanë për të thënë.
Cilët do të jenë personazhet e parë?
Ndoshta aktorja Yllka Mujo, që do të pasohet nga ish-presidenti Alfred Moisiu dhe këngëtarja Aurela Gaçe.
Emision i orëve të vona, ku zëri duhet të jetë i ulët dhe biseda e qetë. Cila është audienca?
Besoj se audiencën maksimale ky emision e ka në këto orë për faktin se artistë, politikanë e biznesmenë që konsiderohen si shikues elitarë, kthehen vonë në shtëpi pas një darke pune.
Sa ishte numri i personazheve të ftuar në sezonin e kaluar?
Ishin 76 personazhe.
Dhe sa do të arrini t’i zbërtheni të ftuarit, duke pasur parasysh faktin që ju i përgatisni vetë intervistat?
Mundohem që bisedat të jenë rrëfime personale dhe profesionale.
Do ju pëlqente të ishit ju i ftuari i këtij formati?
Do më pëlqente shumë, pasi mendoj se e njoh shumë mirë veten.
Në rregull, supozojmë se jeni i ftuar, më thoni diçka për veten?
Jam në kërkim të vetvetes. Jam personi, që më interesojnë njerëzit që më rrethojnë. Tip i qetë dhe kam një rreth të kufizuar miqsh. Gjithashtu ambicioz, por jo deri në sëmundje.
Një rrëfim për veten në aspektin profesional?
Në këtë aspekt, kam përshtypjen se jam bërë pak përtac. Për zhanrin e gjërave që më pëlqejnë do të thosha se më pëlqejnë gjërat e mia, e jam shumë i paaftë të prezantoj gjërat e të tjerëve.
Cila është jeta që bëni jashtë televizionit?
Ka pak për të thënë për këtë. Dikur frekuentoja shumë lokalet e natës, tani jo më. Por bëj një jetë, ku gjëja e parë për të cilën kujdesem është të shmang rutinën e përditshme. Po ashtu bëj jetë të çrregullt në organizimin e ditëve të mia, pasi më pëlqejnë gjërat e momentit.
Besoj gjatë pushimeve, keni më shumë lirshmëri të kapni momentin?
Kam disa vite që nuk bëj pushime për faktin se nuk më pëlqen zhurma. Preferoj të pushoj në dimër. Por kam filluar të bëj plazh në fundjavë, kryesisht në Dhërmi, Vuno e Himarë.
Jetoni i vetëm në shtëpi. Si është të jetosh i vetëm?
Kam tre vite që jetoj kështu. Një ndjesi e çuditshme, që në fillim e përjetova me të qara. Por tani them se më ndihmon të krijoj raport intim me veten, por gjithashtu më izolon dhe më bën më të tërhequr.
Por nuk jeni fare vetëm?
Në fakt jo, jetoj me 2 qentë e mi të rracës Rabrador, 5 vjeç, dhe ai 1 vjeç e gjysmë.
Për pak ju bëheni 30 vjeç. Keni një lidhje?
Kur fillova të jetoj vetëm, mendoja më shumë për një lidhje serioze, për të më ndihmuar e për të shkëmbyer mendimet.
Dhe?
E kam një lidhje, por s’mund të them se është lidhja e jetës sime. Pasi jam tip i paparashikueshëm.
Kthehemi tek televizioni. Mendoni se do të mërziteni ndonjëherë?
Televizioni nuk mendoj se do të më mërzitet kurrë, por ato që më kanë mërzitur deri tani janë prapaskenat televizive.
T’ju pyes pak për eksperiencën tek “Vila e sekreteve”? Çfarë shije të lanë “darkat” me personazhet VIP?
Ishte një eksperiencë e bukur, por e vështirë për t’u realizuar në realitetin shqiptar. Mendoj se të ftuarit ishin interesantë.
Keni frikë nga dështimet?
Unë jo, por e di që ka njerëz që kanë frikë nga dështimet. Për mendimin tim dështimet të çojnë përpara.