LSI e suksesshme në politikë, por edhe në futboll
Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu siç e ka dhe vetë emrin duket se është gjithnjë në lëvizje. Këtë herë nuk është fjala për lëvizje politike, por për aktivitete sportive që shumë drejtues dhe aktivistë të kësaj force politike duket se gjejnë mundësi nga koha e tyre për të mos i lënë pas dore. LSI-stët duket se janë shumë të dhënë pas futbollit, saqë ata nuk i anulojnë ndeshjet edhe kur aktiviteti politik i LSI është mjaft i ngjeshur. Por, duhet pranuar se nganjëherë ndeshjet kanë qenë të pamundura të zhvillohen dhe kjo ka ndodhur veçanërisht kur ka pasur fushata elektorale apo takime të rëndësishme të LSI.
Ashtu siç e shikoni dhe në foto, “futbollistët” e LSI pasi përfundojnë punët e përditshme të angazhimeve të ndryshme, dy herë në javë gjejnë kohë për t’iu përkushtuar futbollit. Të ndarë në dy ekipe, LSI-stët zhvillojnë ndeshje mjaft të forta ku nuk mundojnë debatet e ashpra, por që të nesërmen tregohen me humor dhe si histori interesante, në mjediset e ndryshme të kësaj partie. Një ndër lojtarët më të rregullt të ekipeve të LSI, është edhe zv.kryetari i saj deputeti Pëllumb Xhufi, i cili flitet që rrallëherë bën mungesa, përveç rasteve kur ndodhet jashtë Shqipërisë, ose në takime elektorale jashtë Tiranës. Madje, thuhet se organizatorët e ndeshjeve, kanë caktuar ditët e martë dhe të premte për të luajtur, kur nuk ka seanca parlamentare. Drejtori i Medias dhe Informacionit, Dritan Ylli, është një tjetër lojtar sistematik në ekipet e LSI. Pavarësisht se ai së bashku me ish-golshënuesin e njohur të Dinamos Agron Xhafa, tashmë shef i administratës në LSI, bëjnë mungesa herë pas here ngaqë u duhet të jenë të angazhuar me takimet e shumta që bën me elektoratin Kryetari i LSI, z.Meta. Megjithatë kur dyshja Ylli-Xhafa janë të dy në të njëjtin ekip, fitorja është gjithnjë e padiskutueshme. Kryetari i minibashkisë nr.9 të Tiranës, Armond Halebi, si dhe anëtarët e KDK-së së LSI, Sajmir Zekaj(mesfushor), Avenir Shehu (mbrojtës) dhe portierët Petrit Vargu dhe Rexhep Ballmi i japin mjaft temp sfidave sportive në mes të dy ekipeve të LSI. Ndonëse është e ditur axhenda e jashtëzakonshme, Kryetari i LSI, z.Meta, “vjedh” diçka nga koha e tij herë pas here për tu bashkuar me ekipet, tashmë tradicionale të LSI-së. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili së bashku me nënkryetarin Sokol Axhemi, ndodhen shpesh në fushën e lojës, por më tepër si sportdashës dhe dashamirës të futbollit, por që kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke e ndjekur ndeshjen nga shkallët.
Deputetë të tjerë kanë qenë hera-herës pjesë e ekipeve të LSI, si z.Legisi, Prifti apo dhe Neranxi, apo dhe kryetari i LSI për Tiranën, Ilir Dashi.