E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezarta Shkurta - Planet e një ceremonie martese në bordin e një anijeje

 

Tani është në stinën e gabuar, sepse preferon vjeshtën. Është Rezarta Shkurta, për të cilën kjo stinë që i ka të gjitha në maksimum, është e tepërt, pasi asaj i pëlqen diçka e mesme. Sapo është kthyer nga Kosova me kupën e festivalit “Çelësi muzikor”, ku fitoi çmim të parë me këngën “Kapriçoza”. Me pantallona të shkurtra, një veshje e stiluar nga Rezarta Skifteri ishte ideuar fiks për këngën me tekst të Turit të “Produkt 28”, ku fabula është e ndërtuar mbi marrëzitë e stinës së nxehtë, ku nuk mungojnë ngacmimet e flirtet në pishinë. Por në jetën që bën, ajo tregon se nuk më kohë për këto. Është në momentin që i merr gjërat seriozisht, edhe pse është vetëm 22 vjeç. Është gati për pushime të vërteta në Dubai, Turqi, apo Kroaci me bashkëshortin, Ermalin pas të cilit lë kokën. Sepse ai i plotëson tekat, dhe të dy së bashku janë një “çift i çmendur”, që në fakt nuk planifikojnë asgjë. Bëjnë një jetë në lëvizje, e që nuk kanë fare lidhje me planifikimet, që të marrin frymën. “E kemi zakon që i lëmë gjërat për në momentin e fundit”, tregon Rezarta. Edhe pse ende s’i kanë nisur pushimet ajo bën plazh çdo fundjavë, pasi i alternon me koncertet në bregdet. Është një periudhë disi pushimi dhe frymëzimi, pasi përsa i përket muzikës, do të mbetet për t’u parë në Shtator, kur të nxjerrë klipin e ri. E nëse këngët e Genc Prelvukajt me të cilin polidh kontratë, do t’i pëlqejnë, kuptohet ajo do të bashkëpunojnë duke rendur drejt Prishtinës. Nuk e ka menduar keq, kur diheq që atje e pëlqejnë dhe për të është terren i sigurt, për shkak edhe të njohjeve të shumta të Ermalit në Kosovë, ku e mirëpresin dhe e duan të gjithë. 

Rezarta nuse
Është një ëndërr, që vitin tjetër do të bëhet realitet. Ceremoni martesore në bordin e një anijeje, sepse ajo vdes për ujin, detin, pasi është rritur në qytetin bregdetar të Durrësit. Deri tani është një ide e bukur, ku ata mendojnë të ftojnë gjithë miqtë e tyre. Martesa pa asnjë ceremoni para disa muajsh me Ermal Hoxhën, i intrigoi të gjithë. Por si e jeton Rezarta këtë martesë? “Është shumë e bukur dhe paqësore. Kemi mirëkuptim dhe çmenduri në jetën që bëjmë, dhe për 3 vite që jemi bashkë, tashmë i dimë gjërat që na mërzitin tek njëri-tjetri dhe përpiqemi t’i evitojmë. Jemi miq të mirë, dhe programojmë kohën që pas orës 18:00 të jemi bashkë,për të shijuar kafen e pasditeve”, thotë Rezarta. Dhe dita e saj nis në mesditë. Shpesh është vonë me orareet për takimet që lë, dhe provon me ankth të lëvizë me makinë. Nervozohet kur ka trafik dhe përpiqet të evitojë atë situatë, pasi ka pak kohë që i jep makinës. Por çdo e keqe e ka një të mirë. Sepse një përplasje me makinë në një trafik të ngarkuar para tre vitesh, u bë shkas për t’u njohur me Ermalin.

Në plazh: “Thyej rekord në heqjen e rrobave”

Rrobat e plazhit gjithmonë me shumë ngjyra, sepse është natyrë ekspresive. “Thyej rekord me heqjen e rrobave, dhe pa u hapur mirë çadra hidhen në det, ose pishinë. Më pëlqen të zhys të tjerët, dhe kam marrëdhënie shumë të këqija me diellin, e gjithmonë rri poshtë çadrës”. Po çfarë bën për ruajtjen e linjave të mira? Eshtë 1.77 e gjatë dhe peshon 54 kg, një peshë kjo që në shtator do ta nxisë të fillojë palestër. Por e di mirë që sekreti i trupit në formë është dhe noti, dhe plazhin e koncepton vetëm not. Dikur është marrë me volejboll, prej të cilit ka dhe një trup të bukur, që e bëri t’i hynte modelingut. Dhe ajo është gati ta vazhdojë aty ku e ka lënë, të bëjë sërish modelen, pasion për të cilin është në pritje të ofertave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›