E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bleir:Irani nuk heq dorë nga programi bërthmor

Shefi i shërbimit sekret amerikan, Denis Bleir, ka paralajmëruar se do të ishte e vështirë të bindje Iranin të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor me anë të mjeteve diplomatike. Bleir vlerësoi, në të kundërt, se Teherani zyrtar mund të hiqte dorë nga programi i tij nuklear përballë një tërësie presionesh dhe kërcënimesh ndërkombëtare të besueshme si dhe me masa nxitëse. "Është e vështirë të thuhet saktësisht se nga se duhet të përbëhet kjo përzierje. Ne vlerësojmë se të bindësh drejtuesit iranianë të heqin dorë nga një prodhim i mundshëm i armëve bërthamore do të jetë e vështirë, po të marrim parasysh lidhjen që shumë vetë shohin brenda qeverisë mes armatimit bërthamor dhe sigurisë kombëtare të Iranit dhe objektivave të politikës ndërkombëtare. Dhe duke parë gjithashtu edhe përpjekjet e konsiderueshme të Iranit, që prej të paktën fundit të viteve 1980 deri më 2003-in, për të prodhuar armë të tilla", deklaroi shefi i shërbimit sekret amerikan Denis Bleir në një seancë dëgjimore përpara një komisioni të Senatit amerikan. Përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare në lidhje me programet nukleare të Iranit janë shtuar. Vetë Presidenti i SHBA-së Barak Obama ka deklaruar se vendi i tij do t'i shtrijë dorën e bashkëpunimit Republikës Islamike, por ata duhet ta hedhin vetë hapin e parë në lidhje me këtë gjë. Ndërkohë mediat në Teheran raportojnë se centrali atomik i Iranit, do të fillojë operimin më 22 gusht të këtij viti. Provat për centralin kanë filluar gjatë muajit të kaluar. Ministri iranian i Energjisë, Parviz Fatah, ka thënë se centrali me kapacitet prej një mijë megavatësh, i ndërtuar nga Rusia, në portin Bushehër, në fillim do të prodhojë afërsisht 500 megavatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›