E Diel, 1 Nëntor 2026

Formula e llogaritjes së rezultatit final

07/04/2010 Pikët finale për garën në universitete. Ndarja për të 5 komponentët përbërës të Maturës

Për kandidatët që ruajnë rezultatet nga vitet e shkuara do të përdoren koeficientët e 2010-ës

Për nxënësit e shkollave të mesme, qofshin këto të profilit të përgjithshëm, atij shoqëror apo natyror, 5 komponentët përbërës të Maturës do të kenë të njëjtën peshë në përcaktimin e rezultatit final, me të cilin do të garohet për universitetet gjatë 2010-2011-ës. Kështu, mesatarja e shkollës së mesme, si dhe notat e të katër provimeve (dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara), do të vlerësohen secila me 20 për qind të totalit të përgjithshëm të pikëve të rezultatit final që mbledh secili prej aplikuesve. Por nga ky rregull përjashtim do të bëjnë maturantët që kanë ndjekur shkollat e ndryshme profesionale. Për këta të fundit, udhëzimi më i fundit mbi masën e zhvillimit të provimeve përcakton që rëndësia e notave të arritura në dy provimet e detyruara është e ndryshme për secilin profil. Në shkollat profesionale Letërsia 15 për qind dhe Matematika 25 për qind të rezultatit final. Në shkollat social-kulturore: Letërsia dhe Gjuha shqipe 25 për qind dhe Matematika 15 për qind. Në shkollat pedagogjike: Letërsia dhe Gjuha shqipe 20 për qind dhe Matematika 20 për qind. Notat e dy provimeve të detyruara do të hidhen në Dëftesën e pjekurisë, që do të lëshohet për zyrtarizmin e mbarimit të shkollës së mesme. Ndërkohë që një rol të rëndësishëm në mbledhjen e sa më shumë pikëve luajnë edhe koeficientët e llojit të shkollës, dhe ato të përcaktuara për lëndët me zgjedhje. Në rregulloren e këtij viti është përcaktuar se për kandidatët që do të hyjnë në garën e pranimeve pa dhënë provimet me zgjedhje, në llogaritjen e rezultatit final të Maturës do të merren koeficientët e miratuar gjatë 2010-ës, dhe jo ata që kishte lënda në vitin kur është dhënë provim. Mbështetur në këtë rregullore, rezulton se mundësia për të mbledhur më shumë pikë krijohet jo vetëm nga zgjedhja e programeve të afërta të studimit (të ngjashme me profilin e shkollës së mesme), por edhe nga lloji i koeficientit. Për rastet kur kandidatët do të japin si provim me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e ndjekur gjatë shkollës së mesme, po ashtu edhe programet e përafërta për të vijuar studimet e larta, atëherë dhe koeficientët që do të hyjnë në përllogaritje do të jenë më të lartë, çka rrjedhimisht sjell më shumë pikë në dispozicion të kandidatit. Konkretisht, një kandidat që ka mbaruar profilin shoqëror dhe zgjedh degë të po këtij profili, do të ketë koeficient më të lartë në përllogaritje, sesa po të zgjidhte si programe studimi ato të profilit natyror. Njëkohësisht edhe në provimet e 2010-ës përcaktohet se maturantët do të shpallen fitues, vetëm nëse kanë mbledhur pikët e nevojshme në preferencën më të lartë. “Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë, edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera”, pohohet në rregullore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›