Depozitat dhe kredia, të përqendruara në 4 qytete kryesore
Nëse do ti referoheshim shpërndarjes gjeografike të depozitave dhe kredisë për vitin 2009, sipas raportit vjetor të BSH-së, ai është i përqendruar kryesisht në 4 qytetet që kanë aktivitetin më të madh ekonomik në vend, që janë Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri. Gjithsesi, Tirana në dy rastet ka pjesën e luanit. Sipas raporti të Bankës së Shqipërisë, përqendrimi në shpërndarje shfaqet më i madh në tregun e kredisë sesa në atë të depozitave. Sipas këtij raporti, agjentët ekonomikë me rezidencë në Tiranë zotërojnë 42 për qind të depozitave, ndërkohë që kanë thithur rreth 69 për qind të kredisë. Ndër vite shpërndarja gjeografike e kredisë nuk ka paraqitur ndryshime të rëndësishme. Tregu i depozitave shfaqet më i përqendruar për bizneset sesa për individët. Rreth 90% e depozitave të bizneseve qarkullon në rrethet me aktivitetin më të lartë ekonomik që janë Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri. Ndërkohë aktiviteti depozitues për individët ndjek më afër shpërndarjen gjeografike të popullsisë në vend, duke u ndikuar njëkohësisht nga faktorë të tjerë, si niveli i varfërisë dhe të ardhurat, emigracioni dhe prirjet për kursim/konsum. Përveç Tiranës, e cila zë një të tretën e depozitave të individëve, rrethet me emigracion të lartë si rrethet bregdetare dhe ato të Shqipërisë së Mesme, kanë gjithashtu një peshë të lartë në këto depozita. Nga ana tjetër, ndonëse një pjesë e mirë e remitancave shkon në zonat malore dhe ato të varfra të vendit, ato duhet të përdoren kryesisht për të mbuluar nevoja për konsum, duke mos e kanalizuar në sistemin bankar. Ndërkohë, bizneset e rrethit të Tiranës janë ato që kanë thithur në vitin 2009 rreth 74% të kredisë për biznese. Ndonëse shpërndarja e aktivitetit kreditues për biznese përmban një zhvendosje subjektive në kahun rritës, përqendrimi i lartë i depozitave të biznesit në Tiranë, rreth 78 për qind mund të jetë një tregues se kjo zhvendosje nuk duhet të jetë shumë e madhe. Për më tepër në Tiranë operojnë mesatarisht 40% e bizneseve dhe gati gjysma e bizneseve me më shumë se 50 punonjës. Në përgjithësi shpërndarja e kredisë edhe nëse shfaqet e pabarabartë, ndjek përqendrim gjeografik të bizneseve në vend. Gjithashtu, shpërndarja gjeografike e kredisë është në linjë edhe me profilizimin e rretheve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Sipas raportit, dispropocionaliteti në shpërndarjen e kredisë për individë është më i vogël në krahasim me kredinë për biznese. Rezidentët e Tiranës kanë marrë 59 % të kredisë për individë. Brenda kredisë për individë, kredia konsumatore figuron e shpërndarë njëtrajtësisht në rrethe të tjera përveç kryeqytetit. Ndërkohë kredia hipotekore është e përqendruar në disa qytete kryesore, rreth 85% e saj është dhënë në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, duke reflektuar përqendrimin e lartë të aktiviteti të ndërtimit dhe zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme në këto qendra. Kredia hipotekore zë pjesën më të madhe të portofolit të kredisë për individë vetëm në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që në rrethet e tjera ajo zë mesatarisht rreth 35% të saj.