Blendi Klosi: Berisha gënjen dhe shpif në 22 vite politikë, i ka ditët e numëruara
Deputeti i Partisë socialiste Blendi Klosi ka reaguar në një deklaratë për mediat kundër “akuzave dhe shpifjeve të pabaza në drejtim të opozitës“.
Ai tha se në këto 22-vite në politikë, Sali Berisha vetëm ka gënjyer dhe shpifur për të fshehur zullumet e tij. Klosi vijoi më tej duke thënë se “Sali Berisha gënjen dhe shpif kur thotë se fajin e ka opozita se pse vendi nuk po e merr për të tretën herë statusin e vëndit kandidat. Ai ka dështuar me qeverisjen e tij ashtu siç dështoi me përmbushjen e kritereve të Evropës dhe zgjedhjen e një presidenti konsensua. Kryeministri shpif për imunitetin teksa refuzoi të votonte për paketën për pavarësinë e drejtësisë. Qëllimi i tij është i qartë, nuk do drejtësi të pavarur në shërbim të pavarur, por të gjunjëzuar para pushtetit të tij dhe familjes së tij. Ai shpif e gënjen për deputetët e PS-së por nuk flet për këshillin e vet të miliarderëve që duke shfrytëzuar postet kanë vjedhur dhe janë kthyer në pasanik miliarderë nëpërmjet lekëve të korrupsionit.
Klosi tha se asgjë e paligjshme “s`do mbetet në xhepat e tyre dhe se miliarderët qeveritarë do japin llogari për cdo vjedhje ndaj popullit”. Sipas tij, “Saliu i ka ditët e numëruara“.