Bler: Kosova kërkon vëmendje, Bosnja sfidon stabilitetin
Në dëshminë e paraqitur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, shefi i Inteligjencës Kombëtare, Denis Bler, ka paralajmëruar se ruajtja e stabilitetit në Kosovë kërkon vëmendjen e vazhdueshme të SHBA-se dhe BE-së. Ai ka ngritur edhe çështjen e Bosnjës, duke thënë se ndasitë etnike atje, përbëjnë sfidë për stabilitetin në Europë. "Kosova, ku pakica serbe dhe shumica etnike shqiptare mbeten të acaruara rreth pjesës të ndarë në veri, kërkon vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për të ruajtur stabilitetin", saktësoi Bler.
Në dëshminë me shkrim, zyrtari më i lartë i shërbimit të inteligjencës, gjithashtu tha se tensionet e vazhdueshme etnike në Bosnje e Hercegovinë vazhdojnë të paraqesin kërcënimin më të madh për stabilitetin në Europë. Bler tha se kundërshtitë ndërmjet bashkësive kroate, myslimane dhe serbe të Bosnjës, janë në rritje dhe se ngurtësimi i mundshëm i qëndrimeve mund ta kërcënojë stabilitetin e këtij shteti ballkanik. Bler tha se në procesin politik në Bosnjë ende dominojnë "axhendat etnike", ndërsa reformat kanë ngecur për shkak të dallimeve ndërmjet tri grupeve më të mëdha.
Ai ka shtuar se tensionet ndërmjet myslimanëve dhe serbëve të Bosnjes janë "sfidat kryesore" për stabilitetin evropian në vitin 2010.