Bilanci i një tryeze
Takimi i shumëpritur midis drejtuesve politikë të mazhorancës dhe të opozitës ndodhi. U desh një rezolutë e KiEsë, një ftesë presidenciale, disa deklarata ndërkombëtare dhe ata, të cilët deri dje e akuzonin njëri tjetrin si simbole të krimit dhe korrupsionit, u ulën përballë në një tryezë politike mbi zgjedhjet dhe sistemin politik. Disa orë bisedime u shoqëruan me tri konferenca shtypi dhe kështu, dita e parë e dialogut mazhorancë – opozitë, ndonëse u mbyll pa rezultat të dukshëm solli qetësi në Tiranën politike e qytetare. Në mënyrë paradoksale, tryeza politike kishte katër palë (3 plus 1) dhe politikisht, secila prej tyre doli e fituar prej saj. Presidenti fitoi, sepse fitoi autoriteti dhe besueshmëria e institucionit që ai drejton. Palët deri dje refuzuese dhe akuzuese ndaj Presidentit, pranuan rolin e tij ndërmjetës dhe prej dje, edhe negociues në thelbin e bisedimeve politike. Kryetari i PD fitoi, sepse edhe njëherë u shfaq politikan që negocion e dialogon me opozitën, duke e tërhequr këtë të fundit nga protesta në rrugë, në institucione. Kryetari i PS fitoi, sepse një ditë pas zgjedhjeve problemi politik i tij ishte personal, në zgjedhjet brendapartiake e bëri atë problem të partisë që drejton, dhe me tryezën e djeshme e shndërroi në problem të vendit, sistemit politik dhe kushtetues. Fitues ishte edhe faktori ndërkombëtar. Ambasadorët këtu dhe shefat e tyre në Strasburg, Bruksel, apo kryeqytetet respektive ia arritën që t’i detyrojnë palët të pranojnë dialogun e refuzuar, partnerin e refuzuar, ndërmjetësuesin e refuzuar. Jashtë tyre në një spektër më të gjerë, fitues ishte edhe media sepse investimin e saj shumëmujor me analiza e debate e pa dje të jepte frytet e para, në kuptimin se u realizua sugjerimi kryesor, nisja e dialogut dhe se rezultatet ishin sipas parashikimeve të saj, formale dhe të simbolike. Në fund, jo me entuziazëm, por me rezervë, fitues ishte edhe publiku, i cili pas ditës së djeshme nuk do të jetë më i ftuar të marrë pjesë në demonstrime force në mitingje apo antimitingje, në retorikë publike e familjare bardh e zi, apo në detyrimin për të zgjedhur patjetër anën e njërës palë. Publiku i pa dje politikanët ashtu si duhet të jenë, negociues, dialogues dhe qytetarë përpara qytetarit të parë të vendit. Në politikën e ditës, tryeza shënoi sukses. Pas 13 shkurtit dhe deri në përfundim të bisedimeve (me marrëveshje, ose me prishje të kompromisit), palët do të duhet të vetëpërmbahen dhe të veprojnë brenda kontureve të dialogut. Mazhoranca nuk mund të vijojë të flasë më për opozitën mafioze dhe heqje mandatesh parlamentare, opozita nuk mund të caktojë më një datë të re proteste në sheshe, por do të duhet të krijojë ekipe teknike negociatore. Ca politikanë që kanë ngatërruar profesionin e politikanit me atë të sharësit pa kufi e etikë, do të mbeten për ca kohë të papunë, dhe në vend të tyre do të duhet të thirren në skenë mjeshtrit politikë të ndërmjetësimeve teknike, ata që krijojnë formula ligjore përmes të cilave prodhohen zgjedhjet dhe sistemi i ri politik. Nga përvoja dhe tradita politike, në një dialog politik nuk mund të fitojnë të gjithë njëherësh, duhet të ketë një palë që humbet më shumë, ose fiton më pak, ndaj edhe ky bilanc i parë i 13 shkurtit tingëllon sa absurd aq edhe kompleks. Tani palët që shikuan fitoret e para më shumë personale sesa institucionale, do të duhet të hyjnë në pjesën më të vështirë të negociatave, në detajet konkrete rreth zgjedhjeve, kutive dhe legjitimitetit qeverisës të varur prej tyre. Skenarët formalë janë të thjeshtë. Presidenti do të duhet të kalojë nga aktor protokollar i tryezës në aktor aktiv i problematikës së saj. Kjo mund të sjellë ngritje të fuqishme të rolit presidencial, por edhe në rast joproduktiv, goditje të fortë të autoritetit dhe rolit të tij negociator. Sepse pavarësisht dëshirës për të qenë mirë me të gjithë, çështja në debat nuk e lejon këtë gjë; do të vijë një moment kur do të duhet të ofrosh një kompromis, i cili dashje e padashje i shkon më shumë përshtat një pale, sesa tjetrës. Palët politike do të duhet të ofrojnë formula kompromisi e kompensimi, kërkesa maksimaliste dhe skenarë të lëshimeve të mundshme, dhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, dy palët do të duhet të luftojnë për të fituar sa më shumë aleatë në garën për presion politik të jashtëm ndaj palës tjetër. Skenari më i keq mund të jetë nëse vazhdimi i bisedimeve do të përdoret si mjet, i cili përmes mekanizmit të bllokimit dhe vrapimit pa lëvizur përpara, të bëjë të mundur fillimisht konsumimin e rolit negociues të Presidentit dhe më pas në fitoren e kohës për të dobësuar në mos përçarë, palën kundërshtare politike. Skenari tjetër do të ishte hyrja në labirinthin e detajeve ligjore e administrative mbi çështjet zgjedhore, duke iu larguar çështjeve themelore dhe thelbit të vetë krizës politike. Dy palët tradicionalisht kanë ofruar raste edhe të skenarit avancues, sipas të cilit palët pranojnë lëshime në institucione dhe çështje të tjera të organizimit shtetëror në kompensim të mbylljes së dyshimeve mbi legjitimitetin zgjedhor. Nga mesdita e 13 shkurtit të gjitha variantet janë të hapura mbi tavolinën ku ndodhet presidenti dhe liderit e dy partive kryesore politike. Tryeza e djeshme i kaloi skenarët nga rruga tek institucionet dhe kjo meriton të duartrokitet, por ajo e forcoi akoma më shumë natyrën bipartiake të shtetit dhe kjo mbetet një trashëgimi negative. Tani është koha që palët dhe liderit e tyre të vihen në provë, nëse janë politikanë modernë (të aftë për të negociuar), shtetarë (të aftë të zgjidhin kriza politike), demokratë (të aftë të besojnë në vlerat morale të sistemit politik), arrivistë (të aftë të mendojnë vetëm për qëllimet personale politike) apo produkte të tranzicionit parademokratik (të aftë të bllokojnë negociatat dhe refuzojnë tjetrin). Në çdo rast vlen këshilla e njohur presidenciale amerikane se “asnjëherë të mos të kemi frikë nga negociatat” sepse “një marrëveshje e keqe është shumë herë më e mirë sesa krizë pa marrëveshje”.