E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIF hap “qepenin” për pjesëmarrësit

30 shtatori është data e fundit e aplikimit për filmat pjesëmarrës në festivalin e sivjetmë ndërkombëtar të filmit “Tirana International Film Festival 2011”, i cili mbahet nga data 5 deri 10 dhjetor. Festivali, i cili bëri debutimin e tij në vitin 2003, është i pari dhe i vetmi festival i llojit të tij në Shqipëri, madje viteve të fundit ka gëzuar një famë të konsiderueshme në rajon. I mbajtur nën patronatin dhe kujdesin e Qendrës Kinematografike Kombëtare të Shqipërisë (QKK), edicioni i nëntë i këtij viti do të pranojë filma në 3 kategori, atë të metrazhit të gjatë, të metrazhit të shkurtë dhe kategorinë “Digiart”, kategori e veçantë gjithashtu për filmat e shkurtër. Konkursi është i hapur për të gjithë filmbërësit dhe regjisorët nga mbarë bota, dhe pas mbylljes së konkursit do të jenë 2 juri vlerësuese, në përbërje të skenaristëve, regjisorëve dhe kritikëve shqiptarë të filmit, ata të cilët do të bëjnë përzgjedhjen e filmave që përmbushin kriteret e paracaktuara të festivalit. Këtë vit merret vesh se festivali përpos çmimeve të përvitshme për aktorin më të mirë apo aktoren më të mirë, do të ndajë disa çmime të tjera speciale dhe pjesëmarrja e filmave pritet të vijë nga regjisorët e shteteve si: Portugalia, Spanja, Amerika, Izraeli dhe Ukraina.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›