E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blerim Xhemaili mund të shitet verës

RESHAT IBRAHIMI (Shkup) – Blerim Xhemaili zyrtarisht mund të nënshkruaj për klubin ku aktualisht është duke luajtur, FC Torino, gjatë merkatos së verës. Edhe pse asgjë nuk është përfundimtare dhe shanset për firmosje në merkaton e dimrit janë të mundshme, sërish ekziston mundësia që mesfushori tetovar të luajë si futbollist i huazuar edhe në sezonin e pranverës.

Një informacion të tillë e ka bërë të njohur për “Lajm”, babai i tij, Fekredini, i cili është edhe menaxher i Blerimit. “Ishte paralajmëruar se deri në fund të kësaj jave duhet të përfundojë e gjithë procedura, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pritet gjatë ditës së diel edhe një herë të zhvillohen bisedime të reja. Blerimi do të mbetet në Torino, kjo është e qartë, por a do të arrihet tani kontrata apo gjatë merkatos së radhës, kjo nuk dihet”, tha Xhemaili. Ai gjithashtu ka njoftuar se Boltoni e ka kërkuar prapë Blerimin, por kjo nuk do të ndodhë, pasi drejtuesit e Torinos janë shumë të kënaqur me atë dhe duan ta mbajnë me çdo kusht.

Paraqitjet e shkëlqyera e të futbollistit shqiptar në Seria A të Italisë kanë bërë që edhe klubi anglez Bolton, i cili posedon kartonin e Xhemailit të pendohet për mosdhënien e shansit ndaj mesfushorit tetovar. Nga ana tjetër Torino po bën të pamundurën që ta përvetësojë Xhemailin, i cili për një të ardhme të shkurtër pritet të bëjë edhe ndonjë megatransfertë.

Xhemaili gol për Torinon

Mesfushori shqiptar i Torinos, Blerim Xhemaili ka shënuar golin e dytë në fitoren 7:1 që ka arritur Torino kundër Finales. Goli i tij ka ardhur në minutën 36, ndërkohë paraprakisht kishte asistuar në golin e parë qe e ka shënuar Ventola. Ndeshja është zhvilluar në stadiumin Felice Borel, kurse Xhemaili ka bërë një paraqitje të mrekullueshme. Në pjesën e parë rezultati ka qenë 3:0, kurse skuadra e Finales ka shënuar golin e vetëm në minutën 74 kur rezultati ishte 6:0. Për Torinon golat i kanë shënuar 2 Ventola, Xhemaili, 2 Amoruso, 2 Bianchi dhe një për Finalen, Patruno.

E Premte, 09 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›