Farruk Sejdini: Historitë e Gjermanisë së 1971-it“Një kosovar me flamurin pa yll u zu me punonjësin e sigurimit, pasi i kërkoi bileta për ndeshjen e Karlsruhes. Përkthyesi ishte një gjerman që kishte rënë rob si ushtar në Shqipëri”

Bledar KUKA– Farruk Sejdini ka kujtime të jashtëzakonshme nga udhëtimet jashtë shtetit me kombëtaren apo edhe me Dinamon dhe ndodh që i tregon ato në lokalin ku rri zakonisht, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, këtë herë në shoqërinë e mikut Fatmir Frashëri. Pasi i kujtoj Fatmirit atë foton e fshirë të Londrës më 1965 kur Tirana (17 Nëntori i asaj kohe) do të luante me Kilmarnokun skocez, Sejdini hyn në bisedë me ngjarjen në RFGJ-në e famshme të 1971-it.
“Unë isha krejt i ri, - nis ai historinë, - por Loro Boriçi më kishte marrë në kombëtare. Ishte edhe Safet Berisha, e mbaj mend mirë, edhe Sabah Bizi, me të cilin pinim ndonjë gotë raki”. Por historia erdhi e u bë interesante kur skuadra shqiptare ndeshi në tokën gjermane, pa shkuar ende në Karlsruhe, ku do të luhej ndeshja, me një grup shqiptarësh nga Kosova.
“Ata erdhën me një makinë ku ishte vendosur flamuri shqiptar, - vazhdon “Xhaxhi”, - për herë të parë pashë një flamur shqiptar pa yllin e kuq, siç e kishim ne në Shqipëri”. Ai më i vjetri i tyre, siç kujton, iu drejtua delegacionit shqiptar. “Jena shqiptarë prej Kosove, na duhen bileta me pa ndeshjen e Shqypnisë”, - ishin fjalët e burrit. Siç ishin rregullat (ndoshta janë ende), delegacioni mik merrte një sasi biletash nga organizatorët dhe kosovarët këtë e dinin.
Por ata ishin përballë me shoqëruesin e skuadrës, që ishte oficer i sigurimit të shtetit. Ky iu drejtua kosovarëve me shumë zemërim. “Ne nuk u japim bileta shqiptarëve si ti, por kosovarëve që janë shqiptarë të vërtetë që e duan partinë dhe shokun Enver”, - foli ai, siç duket tepër i acaruar nga flamuri që pa. Por, siç duket, nuk e kishte llogaritur reagimin e bashkëfolësit.
“Çfarë t’i bëj këtyre të tjerëve që nuk kanë faj, - tha ai duke treguar futbollistët e ekipit kombëtar shqiptar, - se ti nuk e merr me mend se çfarë të punoj. Unë të q... familjen, partinë tëndë dhe Enverin tënd”. Ulërimat e tij nuk përfunduan me aq, por vazhduan derisa i doli zemërimi, ndërsa lojtarët rrinin të heshtur, kurse oficeri i sigurimit
Sejdini tund kokën dhe qesh pak. Më pas, ai tregon sesi hipën në autobus dhe shkuan për në stadium rreth të cilit interesimi ishte tepër i madh. “Ndeshja vinte pas barazimit 0-0 të 1967-ës dhe tifozët gjermanë kishin kërshëri për të parë skuadrën që i eliminoi, - thotë, - autobusi mezi kaloi nga ngarkesa e madhe, kur unë, duke qenë në fund të tij, vura re makinën e kosovarëve me flamurin pa yll”.
Gjermani-përkthyes, ish-rob në Shqipëri
Historitë e 1971-it nuk përfunduan me sherrin e kosovarit me punonjësin e sigurimit, por ky i fundit pati edhe një tjetër përplasje. Pranë kombëtares shqiptare erdhi edhe një burrë gjerman në moshë, që dinte shqip. Ai kishte dashur të caktohej përkthyes mes gjermanëve dhe shqiptarëve, por pasi ishte futur në garë, ishte mundur nga një grua. Sidoqoftë, ai erdhi të takonte shqiptarët dhe të shikonte sesa mirë mund ta fliste shqipen me ta.
Gjermani tregoi se kishte qenë ushtar në Shqipëri më 1944 dhe se ishte kapur rob nga partizanët. “Duhet të jem kapur pranë lumit Shkumbin, - tregonte ai, - dhe na vendosën diku në Shqipërinë e Mesme”. Pas 4 vjetësh, ai arriti të kthehej në Gjermani, pasi u mbyllën llogaritë e luftës dhe u shkëmbyen robërit.
Ndërsa ai tregonte peripecitë e tij, oficeri i sigurimit e ngacmonte, “pa na trego pak, si të kapën partizanët”. Pasi e duroi disa herë, gjermani më në fund shpërtheu. “Dëgjo zotëri, - i tha ai, pa e humbur etikën e vendit të tij, - unë rashë rob në Shqipëri sepse unë isha në vend të huaj, sepse nuk kisha pse të vritesha aty. Por le të vijnë ata partizanët e tu këtu në Gjermani dhe do të shikosh sesi do të vdes unë për vendin tim”. Përfundimisht, ai ia ndaloi shoqëruesit të delegacionit shqiptar që ta provokonte më tej.
Sabah Bizi: Po pse t’i prishim punë Gjermanisë
Farruk Sejdini, siç tregova më lart, e kishte dhe e ka mik Sabah Bizin. “Unë e vlerësoj shumë Sabahun, - thotë ai, - sepse njeriu njihet kur nuk të tradhton në moment të keq. Bizi ishte njeri me karakter, sipas mendimit tim”. Pasi ndeshja në Karlsruhe përfundoi, skuadra shqiptare hyri në një si vaskë gjigande para se të shkonte në dush. Shampo, pas pak, u zhduk nga qarkullimi, siç ndodhte shpesh kur shqiptarët e shkretë dilnin jashtë shtetit. Ndërsa ishin në atë vaskë, Sabah Bizi, i mahnitur nga stadiumi dhe Gjermania në përgjithësi, i thotë Sejdinit. “Po çfarë thu mor Farruk, pse t’i prishnim punë ne kësaj Gjermanie, e çfarë mund të arrijmë ne?” Natyrisht, ishin fjalë dhimbjeje për njerëz që ishin të mbyllur në një kafaz dhe bota u dukej më e mrekullueshme edhe sesa ishte në të vërtetë.
8 janar 2009
E Premte, 09 Janar 2009