Mehmeti pas takimit të fundit me Kadriun: Juda do më hajë kokën!
• “Fiqrete Shehu ka fshehur lidhjen familjare të Arshi Pipës me të fejuarën e djalit të Mehmet Shehut. Ajo e ka ditur që nusja e Skënderit kishte biografi të keqe nga nëna dhe i ati dhe nuk ka reaguar asnjëherë”.Afrim ImajNjë vizitë e papritur, mbrëmjen e ftohtë të 17 dhjetorit ‘81, në vilën e kryeministrit të tronditur nga mbledhja e Byrosë Politike, do ta çonte atë tek akti fatal. “Mehmet Shehu vrau veten vetëm pak çaste pas vizitës së Kadri Hazbiut!”. Në dëshminë e Fiqrete Shehut në përballjen me ish-ministrin e Brendshëm gjatë procesit gjyqësor të gushtit ‘83, hidhet dritë mbi misterin e ngjarjes më të bujshme të historisë komuniste. Kadri Hazbiu i ka transmetuar Mehmet Shehut urdhrin për t’u vetasgjësuar, me qëllimin e vetëm për të ruajtur veprimtarinë agjenturore të organizatës kundërrevolucionare që vepronte në Shqipëri që nga periudha e luftës! Më herët se të zbardhë këtë moment kulminant që daton me ditëvdekjen e të shoqit, Fiqrete Shehu ka pohuar, se një ultimatum të tillë një mbrëmje më parë ia kishte sjellë në shtëpi Mehmet Shehut, por nga zbulimi jugosllav. I vetmi ndryshim nga mesazhi më i fundit që i trasmentoi Hazbiu nga KGB-ja, ishte atentati ndaj Enverit. Këtë herë Mehmeti mesa dukej nuk kishte hapësirë për të qëlluar mbi Enverin. Dhe, për të ruajtur çfarë mund të ruhej, së paku për familjen e tij, kryeministrit nuk i mbetej gjë tjetër vetëm të merrte pistoletën dhe të qëllonte mbi gjoksin e tij. Argumenti me të cilën Kadri Hazbiu e shkërmoq qysh në fillim akuzën monstruoze, ka të bëjë me pohimet e dyshimta të së vesë së ish kryeministrit për tetë muaj me radhë në procesin e hetimit, sipas të cilave njeriu që ka çuar mesazhin e KGB-së mbrëmjen e 17 dhjetorit te Mehmet Shehu ka qënë Nesti Nasja(!). Ka mjaftuar kjo që dialogët e Hazbiut me Fiqretin të ashpërsohen gjithnjë e më tepër...FIQRET SHEHU: Kadriu mbante dy fytyra në qëndrimin ndaj Mehmetit...KADRI HAZBIU: U krijua apo s’u krijua urrejtja për mua te Mehmeti...FIQRET SHEHU: Kjo ishte punë agjenturore, qe kurdisur dhe qe caktuar vija e sjelljes. Ndërkaq, kishte momente që për çështje personale si njëri dhe si tjetri, kush të ishte i pari. Në këtë rast goditej Mehmet Shehu direkt nga Kadri Hazbiu, prandaj ai thoshte, a Kadri ç’më bëre, ti je Judë...KADRI HAZBIU: Si rrjedhim i këtij qëndrimi të Mehmet Shehut, tek kjo u krijua një urrejtje ndaj meje. Po ose jo...FIQRET SHEHU: Nuk kam pasur ndonjë urrejtje...KADRI HAZBIU: Në këtë rast u krijua apo nuk u krijua...FIQRET SHEHU: Mbasi vrau veten Mehmeti po…KADRI HAZBIU: U krijua…FIQRET SHEHU: Mbasi vrau veten…KADRI HAZBIU: Boll, boll, boll, faleminderit… FIQRET SHEHU: Jo urrejtje. Jo më fal, më fal, dale ti mos e ngre zërin për të më frikësuar, se nuk frikësohemi kollaj…KADRI HAZBIU: Mos të kanë thirrur për trimëreshë ty këtu...FIQRET SHEHU: Unë në seancat hetimore kam thënë, që në momentet e para unë e kam mbrojtur Kadri Hazbiun dhe e kam mbrojtur pikërisht për këtë çështje...KADRI HAZBIU: Unë e mora përgjigjen, domethënë që pasi vrau veten Mehmeti kjo filloi të më urrejë...FIQRET SHEHU: Në moment, pastaj kam mbajtur qëndrimin që kam mbajtur dhe është në procesverbal...KADRI HAZBIU: Eshtë tjetër punë, të shënohet kjo sipas rregullit...FIQRET SHEHU: Me insinuata i nderuar trup gjykues nuk duhet vepruar...ARANIT ÇELA: Po mirë, atij i duhet ajo...FIQRET SHEHU: Jo se ai thotë mos përdor shumë fjalë unë dhe po na mbyt me fjalë vetë dhe nuk na lë as të dëgjojmë…KADRI HAZBIU: Ke mbetur keq, ke mbetur keq....ARANIT ÇELA: Më tutje, ke pyetje tjetër Kadri…FIQRET SHEHU: Insinuatat le t’i mbajë për vete...KADRI HAZBIU: Pllakë gramafoni e kurdisur je, vazhdo. Për ruajtjen e forcave pas Konferencës së Tiranës. Në procesin e mëparshëm, qëndroni me ç’keni thënë në procesin e mëparshëm që jam njohur unë, apo me ato që thatë tashti…FIQRET SHEHU: Çfarë domethënë procesi i mëparshëm… KADRI HAZBIU: Domethënë si është zhvilluar biseda me mua për ruajtjen e forcave pas Konferencës së Tiranës. Qëndroni në ato që keni thënë në procesin e mëparshëm të dhjetorit apo në këto që thoni tani..FIQRET SHEHU: Çfarë kam thënë në procesin e mëparshëm…KADRI HAZBIU: Nuk e di, unë pyetjen e kam të qartë, thuaj që qëndroj në këtë ose në atë…ARANIT ÇELA: Ke ndonjë ndryshim në lidhje me atë që ke thënë dhe këtë që thua tani…FIQRET SHEHU: Nuk kam ndonjë ndryshim, edhe këtu nuk thashë gjë tjetër veç atyre…KADRI HAZBIU: Mirë, në qoftë se nuk ka ndonjë ndryshim…ARANIT ÇELA: Domethënë nuk i bën ndryshim thënieve që ke bërë më para në proces…FIQRET SHEHU: Edhe këtu nuk bëra ndonjë ndryshim…KADRI HAZBIU: Jo ndryshim ka, po në cilën mbeteni përfundimisht…FIQRET SHEHU: Asnjë ndryshim nuk kam bërë. Fjala mund të jetë ndonjë fjalë tjetër, po përmbajtja është e njëjtë.KADRI HAZBIU: A e konsideron shpifje atë që ka bërë për Nesti Nasen për 8 muaj rresht edhe e hoqi ma dha mua. Si e konsideron?FIQRET SHEHU: Në fillim unë nuk kam dashur ta jap Kadri Hazbiun për një kohë të gjatë, megjithatë kisha luftë në vetvete, pikërisht se ishte ndihmësi dhe personi që vinte imedialisht pas Mehmet Shehut, një nga kryesorët në grupin tonë. Prandaj edhe unë për mos të dhënë Kadri Hazbiun për ato arsye që kam shpjeguar në procesverbal që janë dy kryesoret. E para, se unë shpresoja që Kadri Hazbiu mund të vinte koha që të na përkrahte ne, mua dhe fëmijët e mi dhe e dyta, se kisha frikë se po të thosha gjë për Kadri Hazbiun, ky mund të hakmerrej se mund të kishte marrë ndonjë pozitë më të lartë sekretar i KQ a zëvendëskryeministër, se djali i xhaxhait të tij ishte hetuesi kryesor i imi Pirro Dautaj dhe do t’i shkonte fjala dhe, pra, kishte rastin që të hakmerrej. Për të gjitha këto, por kryesisht për ta ruajtur Kadri Hazbiun unë thashë për Nestin. Edhe Nesti ishte dhe është një nga anëtarët e organizatës. Unë nuk futa një njeri të pa qenë...KADRI HAZBIU: Në fillim të procesit dhe për tetë muaj me radhë Fiqretja ka dëshmuar se mbrëmjen e 17 dhjetorit Nesti Nasja i ka transmetuar Mehmetit në vilën e tij ultimatumin e ambasadës sovjetike, gjë që e çoi te vetëvrasja, tani thotë se këtë e ka bërë Kadri Hazbiu. Si konsiderohet kjo nga ana e kësaj tashti. E konsideron shpifje kjo? Thjesht po ose jo... FIQRET SHEHU: Unë nuk them që kam shpifur…KADRI HAZBIU: Mos thuaj, po shpifje është. Në proceset e saja të mëparshme, ka thënë këtë që tha këtu se unë vajta në një rast, nuk e di se si e shpjegoi këtu, vajta mora kontakt me Svetovar Koçiçin. E ka thënë në proceset e mëparshme, apo e thotë këtu.FIQRET SHEHU: As këtu nuk thashë që vajti mori kontakt me Svetovar Koçiçin, po ka qenë në lidhje me Svetovar Koçiçin…KADRI HAZBIU: Le të shikohet procesi që u mbajt këtu, se e tha ekzakt, nuk më kujtohet rasti që për këtë çështje para se sa të vinte, vajti u mor vesh me Svetovar Koçiçin, domethënë i tha tashti…FIQRET SHEHU: Jo, jo, vajti mori vesh po para se të shkonte te Sekretari i parë i KQ, ka marrë edhe aprovimin e zbuluesit jugosllav. Nuk kam zënë në gojë as Svetovar Koçiç në këtë rast...KADRI HAZBIU: Këtë them unë këtu, le të shikohet...FIQRET SHEHU: Nuk kam thënë për Svetovar Koçiçin...KADRI HAZBIU: Për Beqir Ballukun si të deleguar në Konferencën e Tiranës, thua që e mësova nga Mehmet Shehu, që do të vijë i deleguar Beqir Balluku. Eshtë e vërtetë kështu, qëndron kjo domethënë që këtë e ke marrë vesh nga Mehmet Shehu...FIQRET SHEHU: Mehmet Shehu më ka thënë që i deleguar do të jetë Beqir Balluku...KADRI HAZBIU: Kjo thotë që u kaluan caqet në Konferencën e Tiranës dhe thotë në të njëjtën kohë se pikësynimi i armiqve aty ishte triumfi i vijës së Kongresit të 20-të të PK të BS. Kongresi i 20-të kërkonte një përmbysje, një revizionim komplet të vijës dhe përmbysjes së udhëheqjes që e kishte prurë këtë vijë. Tashti kjo thotë që u kaluan këto caqe. Cilat ishin caqet e çfarë kërkoi Konferenca e Tiranës, cilat ishin caqet që u kaluan?FIQRET SHEHU: Konferenca e Tiranës do të zhvillohej mbi bazën e Platformës të Kongresit të 20-të. Po kjo punë sipas udhëzimit të dhënë nga ana e jonë, nuk do të bëhej e hapur, por do të bëhej e kamufluar duke u goditur vija e Partisë në mënyrë të kamufluar bashkë me udhëheqjen e Partisë. Ndërsa dy dolën persona që kërkuan direkt rehabilitimin e Koci Xoxes dhe rehabilitimin e Jugosllavisë, duke thënë të zbatohen tezat e Kongresit të 20 etj. Udhëzimi nuk ishte ky, po duhej të goditej me marifet për të përgatitur terrenin që Kongresi i Tretë i Partisë të zhvillohej si Kongresi i 20-të në miniaturë, por aty të shpërthente...KADRI HAZBIU: Këto ishin caqet sipas kësaj. Lidhur me Teme Sejkon. Kjo thotë, në procesverbal dhe këtu lidhur me çështjen e Panajot Plakut thotë se që në ’56, kishte marrë të dhëna thotë sigurimi që Teme Sejko…FIQRET SHEHU: Në vitin ‘57…KADRI HAZBIU: Më ‘57, nuk e di ka ikur në ‘56 apo ‘57, po çështja është lidhur me juve, ta kuptoj më qartë unë, e shpjegoni këtu këtë, që në atë kohë sigurimi kishte të dhëna se Teme Sejkua ishte vënë në shenjë dyshimi. Kështu ju ka thënë juve tradhtari Mehmet shehu…FIQRET SHEHU: Unë nuk e thashë këtu që ishte zbuluar grupi i Teme Sejkos dhe duhej ruajtur Panajoti…KADRI HAZBIU: Atë nuk mund ta thoshe se u zbulua në ‘79 ai, nuk mund ta thoshe…FIQRET SHEHU: Unë thashë që njerëz që punonin në sigurim, kishin dhënë larg e larg se diçka luhej dhe që dihej ajo që Panajot Plaku kishte miqësi me Teme Sejkon. Meqë pati një sinjal të tillë iu tha Panajot Plakut që të presë marrëdhëniet me Mehmet Shehun, thashë unë që habitem pse u dha ky urdhër për të kaluar në Jugosllavi rasti nuk ishte për t’u arratisur…KADRI HAZBIU: Djemve tuaj, fëmijëve tuaj a ia shpjeguat juve këtë brengë, këtë urrejtje që kishte Mehmet Shehu ndaj meje, të treve apo ndonjërit… ARANIT ÇELA: E dëgjuan ata fëmijët domethënë këtë...FIQRET SHEHU: Që thoshte a Kadri, Kadri, ti je Juda që do më hash kokën, nuk di, ai vetëm me mua e ka biseduar…KADRI HAZBIU: Juve, juve pas vetëvrasjes e keni biseduar me djemtë…FIQRET SHEHU: Nuk kemi biseduar për çështje të tilla.KADRI HAZBIU: Nuk keni biseduar. Ju lutem të mbahet shënim lidhur me këtë çështje.FIQRET SHEHU: Nuk më kujtohet që të kem biseduar për Kadri Hazbiun.KADRI HAZBIU: Domethënë ekzakt thua që nuk e ke thënë, në rregull. FIQRET SHEHU: Nuk më kujtohet që të kem biseduar për një çështje të tillë se përgjithësisht ato qenë aq pak ditë sa nuk kishim nga të mblidhnim veten, jo të bisedonim.KADRI HAZBIU: Mirë, nuk ke biseduar në fund të fundit…FIQRET SHEHU: Jo nuk thashë ashtu, thashë nuk mbaj mend që të kem biseduar me njeri për këtë çështje…ARANIT ÇELA: Tjetër pyetje…KADRI HAZBIU: Dini juve për letrat që ka çuar në Paris, letra me karakter spiunazhi Ali Çenua…FIQRET SHEHU: E thashë që Mehmet Shehu më ka thënë që në vitin 1980 i dha një letër Ali Çenos për Skënder Shehun, djalin tonë që ishte ato ditë në Paris, brenda së cilës ishte një zarf për një person të agjenturës amerikane.KADRI HAZBIU: Domethënë juve e dini këtë… FIQRET SHEHU: Ma ka thënë Mehmet Shehu…KADRI HAZBIU: Ndonjë shqetësim Mehmet Shehu e Ali Çenua për këto letra sipas jush, kanë pasur...FIQRET SHEHU: Nuk kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë rast dhe pyetjen nuk e kuptoj…KADRI HAZBIU: Ja, ta kuptosh kështu domethënë, që vetë Mehmet Shehu që të ka thënë dhe Ali Çenua që ishte transmetuesi i kësaj, kishin ndonjë shqetësim, ishin të shqetësuar se mos dyshohej gjë a njërën a tjetrën për këto letra…FIQRET SHEHU: Unë nuk kam dëgjuar gjë.KADRI HAZBIU: Nuk ke dëgjuar gjë ti? Faleminderit. (seanca mbyllet)...“Fiqretja fshehu lidhjen e Silva Turdiut me Arshi Pipën”Feçor Shehu i kryqëzuar për çaste të tëra nga sulmet e të vesë së ish-kryeministrit, më në fund nxjerr nga koleksioni i tij dëshmitë komprometuese për gruan e ish-kryeministrit. “Fiqrete Shehu ka fshehur lidhjen familjare të Arshi Pipës me Silva Turdiun, të fejuarën e djalit të Mehmet Shehut. Ajo e ka ditur që nusja e Skënderit kishte biografi të keqe nga nëna dhe i ati dhe nuk ka reaguar asnjëherë”. Ish-ministri i Brendshëm që e njeh mirë historinë e Arshi Pipës, si një nga armiqtë e betuar të komunizmit shqiptar, pohon se Fiqretja është njohur në kohë nga Sigurimi i Shtetit për lidhjen familjare të tij me vajzën e Turdive me të cilën ishte fejuar Skënder Shehu, por e ka shpërfillur, për t’u kujtuar të reflektojë vetëm pas analizës së gjerë që filloi KQ pas vetëvrasjes së Mehmetit. Sipas tij, e veja e ish-kryeministrit dhe familja e saj, ka neglizhuar ndërkaq të dhënat e shpeshta të organeve të sigurimit për sjelljet e pahijshme të djemve të saj në Tiranë. Më tej, debati midis Feçor e Fiqrete Shehut mbërthehet në misteret e një takimi të fshehtë në fillim të dhjetorit ’81, ku Mehmeti ka thirrur në vilën e tij ish-ministrin e Brendshëm për të përshpejtuar procedurën për kthimin sa më parë të djalit të tyre, Skënderit nga Suedia. Duke iu rikthyer këtij episodi, Feçor Shehu, hedh poshtë me argumente dëshminë e mëparshme të gruas së ish-kryeministrit për takimin e fundit të tij me Mehmetin mbrëmjen e 16 dhjetorit. Fashitet pak çaste në sallë versioni i ultimatumit sekret të UDB-së për Mehmet Shehun një ditë para vetëvrasjes, por e veja e tij vazhdon të këmbëngulë për një takim tjetër të Kadri Hazbiut, vetëm pak momente para aktit fatal të 17 dhjetorit ‘81. Këtë radhë, sipas saj, Hazbiu do të sillte mesazhin e KGB-së për të vrarë Enver Hoxhën në mbledhjen e Byrosë Politike. Ka qenë ky momenti, sipas Fiqrete Shehut që Mehmet Shehu ka urryer si asnjëherë tjetër njeriun më besnik e mikun e vjetër të tij. Që nga ky çast, Hazbiu, sipas pohimit të gruas së ish-kryeministrit, do të niste sulmin e shfrenuar për të shfarosur familjen e Mehmet Shehut.neser do te lexoniDëshmia e Qani Tartales: Kadri Hazbiu urdhëroi ndërprerjen e agjenturës ndaj Jugosllavisë.Metamorfoza e kosovarit Sadik Radeci pas rrëfimit tek autoritetet e zbulimit se punonte për UDB-në.Si e fshehu sigurimi rezidencën e zbulimit jugosllav tek Uzina Enver dhe çfarë ndodhi me gjykimin e sabotatorëve të hekurudhës Durrës-Tiranë.A ishte e vërtetë që Dhora Leka nuk ishte e besueshme për krerët e policisë së fshehtë dhe pse neglizhoheshin raportet e saj për agjentët e hershëm të UDB-së.Cili ishte roli i këshilltarit rus në ndërprerjen e agjenturës ndaj UDB-së dhe si redaktoheshin nga Hazbiu raportet operative për të dhënat nga zbulimi i Titos.