E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bleu gjela deti me para false, pranga 42-vjeçarit

FIER- Një 42-vjeçar nga qyteti i Durrësit ka përfunduar në prangat e policisë së Fierit, pasi për festat e fundvitit ka blerë dy gjela me kartëmonedha false. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, teksa Viktor Prendi ka qenë duke u kthyer nga Gjirokastra. Burime nga policia lokale pohojnë se Prendi ka ndaluar anës rrugës nacionale Ballsh- Tepelenë, në fshatin Pecaj të rrethit të Mallakastrës dhe i ka blerë banorit të zonës, S.H. dy gjela deti në vlerën e 9 mijë lekëve. Pas largimit të klientit nga Durrësi, 62-vjeçari S.H. ka konstatuar se lekët për gjelat e shitur ishin false.

I dëmtuari ka denoncuar në policinë e Fierit, ndërsa ka treguar dhe targën e makinës së Viktor Prendit. Blutë kanë arrestuar mashtruesin, ndërsa gjatë kontrollit fizik i janë gjetur në xhepin e xhupit edhe 19 prerje të tjera kartëmonedhash 1000 lekëshe false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të 42-vjeçarit i janë përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Fierit. Pritet që Gjykata e Shkallës së parë e këtij rrethi të vendosë masën e sigurisë ndaj tij.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›