E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, me buxhet, pas dy vitesh mungesë

TIRANE- Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvilloi mbledhjen e fundit për vitin 2011-të, ku sipas rendit të ditës ishin në shqyrtim tetë projekt-vendime, një prej vendimeve më të rëndësishëm ishte dhe buxheti i viti 2012-të. Mbledhja ka filluar me polemika nga ana e kryetarit të grupit të Partisë Socialiste, Aldrin Dalipit, për shkak se mbledhja nisi me vonesë. Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha bëri një prezantim të projektbuxhetit si dhe iu përgjigj pyetjeve të këshilltarëve në lidhje me draftin, të cilët i kërkuan shpjegime në lidhje me investimet dhe vlerën e tyre.

"Shifra e investimeve kap shifrën prej 33% të 7 miliardë lekëve që është buxheti total. Kjo është 2% më shumë se sa sasia më e madhe e investimeve që qyteti ka përfituar këto 20 vite. Këtë e bëmë në një vit të veçantë, në vitin e parë ku Bashkia e Tiranës fillon të shlyejë principalin dhe interesat e kredive të marra në 10 vitet e kaluara",- ka deklaruar Basha. Ndërsa këshilltarja e majtë, Adriana Berberi ka thënë se konsultimet me publikun por edhe me kryetarët e njësive kanë qenë thjeshtë një fasadë. "Qytetarët e Tiranës nuk duan vetëm rrugë. Nuk ka pasur konsultim real me qytetarët e Tiranës, pasi ata kanë edhe nevoja të tjera. Ne nuk duhet të fillojmë historitë nga e para, por të vazhdojmë traditat. Qytetarët janë përdorur si fasadë këto dy javët e fundit. Atyre nuk i është kërkuar mendim në procesin e hartimit të buxhetit",- ka deklaruar Berberi. Kryebashkiaku Basha, pasi u ka kthyer përgjigje këshilltarëve është larguar nga salla e mbledhjes, ndërkohë që këshilltarët kanë vijuar diskutimet për buxhetin për më shumë se dy orë. Më pas projekt- vendimi kaloi për miratim dhe mori 29 vota, të koalicionit PD-LSI si dhe votën e Enver Reçit të PSV`91, ndërsa 25 këshilltarët e majtë prezent në mbledhje votuan kundër. Buxheti i 2012-ës po vjen pas dy vitesh bllokim, pasi kryeqyteti për 2010-2011 nuk ka pasur një draft buxhetor të miratuar.

Përveç projektbuxhetit, Këshilli Bashkiak ka shqyrtuar edhe shtatë projekte të tjera të propozuara nga administrata 'Basha'. Midis tyre ishte edhe drafti për eliminimin e të gjithë taksave dhe tarifave vendore për bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës, dhe uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjitha sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës dhe që i punësojnë ata rishtazi, siç mund të evidentohet nga lista e të papunëve në zyrën e punës. Ky draft, por dhe kalimi i mbledhjes së tarifës së pastrimit nga ujësjellësi, dhe një rishikim i pagave të punonjësve të ndërmarrjeve në varësi, ka marrë miratimin nga këshilli.

INVESTIMET
Investimet zënë vetëm 33% të totalit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, pra 2.3 miliardë lekë. Janë me dhjetëra rrugë të cilat do të rikonstruktohen, por një investimeve më të mëdha për vitin që vjen prej 267 milionë lekësh do të jetë sistemi i shtratit të Lanës dhe rrugëve paralel saj, deri te ura e Shkozës, si dhe ndërtimi i kësaj ure. Ura e shkozës edhe pse i është bërë një asfaltim vitin e kaluar, vijon të jetë në gjendje të mjerueshme, por me projektin që pritet të realizohet vitin që vjen, kjo urë do të zgjerohet dhe do jetë 20 metra, ku do të ndërtohen edhe trotuare për këmbësorët në të dyja anët, që aktualisht mungojnë. Vëmendje të veçantë i është dhënë investimeve në blloqet e banimit, ndërtimit të rrugëve dhe kanalizimeve të ujërave të zeza. Por gjithashtu rreth 50 milionë lekë në këtë buxhet janë parashikuar të shkojnë për sistemimin e dy varrezave publike në Sharrë dhe Tufinë, pasi gjendja e tyre është e mjerueshme, mungojnë rrugët dhe ndarja midis parcelave. Ndërkohë që, veç ndërtimit të 6 shkollave të reja dhe rikonstruksionit të tetë të tjerave, bashkia në buxhet ka parashikuar një fond prej 68 milionë lekësh, investim për stimulimin e nxënësve të shkëlqyer.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›