Bli një biletë për Livornon, shiko dhe Juven
Inter-Livorno do të luhet të shtunën dhe drejtuesit zikaltër parashikojnë të ardhura të pakta nga shitja e biletave. Nisur nga ky fakt, klubi i Interit ndërmori edhe një iniciativë të shkëlqyer, duke vendosur në pjatë edhe sfidën kundër Juventusit. “Për të gjithë ata që do të blejnë një biletë për ndeshjen e shtëpisë të kampionëve të Italisë, - thuhej në komunikatën e publikuar në faqen e Interit, - do t’u ofrohet një çmim special për ndeshjen Inter-Juve, të programuar për më 28 mars në stadiumin ‘Xhuzepe Meaca’ në San Siro të Milanit”. Vendimi i Ligës italiane për të luajtur ndeshjen kundër Livoros në orën 16:00 nuk u pëlqeu shumë drejtuesve të klubit zikaltër.
Baloteli i jep Interit Kupën e Karnavaleve
Interi fitoi Kupën e Karnavaleve pas gjashtë vitesh nga triumfi i fundit. Në vitin 2002 ishin Pandev dhe Martins ata që i dhanë kënaqësinë presidentit Morati, ndërsa dje ishte Siligardi dhe SuperMario Baloteli, që çuan në shtëpinë zikaltër trofeun. Interi mundi Empolin nga gjuajtjet e penalltive (5-4), pasi koha e rregullt përfundoi 2-2. Vendimtar ishte gabimi i Hemit në gjuajtjen e fundit nga pika e bardhë. Baloteli po bëhet simbol i skuadrës së dytë zikaltër, i cili me një gol nga pika e bardhë dhe një goditje spektakolare nga 25 metra në pjesën e dytë barazoi rezultatin 2-2 për Interin e drejtuar nga Espozito. Një trofe i bukur për padronin Masimo Morati, por dhe një Balotel i jashtëzakonshëm dhe me vlera për ekipin e parë.
Trajneri Lëv: “Lehman qëndron në portë”
Johakim Lëv do t’i besojë sërish portën Jens Lehmanit, edhe pse portieri i Arsenalit bëri jo pak gabime në ndeshjen miqësore kundër Austrisë. Në ndeshjen e ardhshme të Kombëtares gjermane, më 26 mars kundër Zvicrës, Lëv do t’i japë sërish shansin Lehmanit, i kthyer tashmë në një zëvendësues te “Topçinjtë” londinezë. “Unë kam vendosur që Jens të luajë kundër Zvicrës”, - tha ish-ndihmësi i Jurgen Klinsmanit për revistën sportive gjermane “Sport Bild”. Jens Lehmn mban edhe rekordin me prej 531 minutash pa pësuar gol. 38-vjeçari e ruajti të paprekur portën në fitoren 3-0 me Austrinë. Lehman është në garë me portierin Enke të Hanoverit të Altin Lalës.
14 Shkurt 2008