Karla Bruni: “Me Sarkozinë deri në vdekje...”
Sipas ish-modeles, mes saj dhe N. Sarkozi lidhja ishte e shpejtë, jo e nxituar. Kantautorja Bruni ka përgatitur një këngë për Mbretëreshën e Anglisë
“Dikush thotë se ka qenë shumë gjë e nxituar. Është false. Mes Nikolas dhe meje nuk ka patur asgjë të nxituar, ishte diçka e shpejtë”. Këtë thekson për herë të parë Karla Bruni në një intervistë për një të përjavshme franceze. “E pata të shpejtë dëshirën për t’u martuar dhe më pëlqen të rri me të më tepër se çdo gjë”, - ka thënë ish-modelja, e cila tashmë ka marrë edhe titullin “Zonja e parë e Francës”. “Në fund të fundit do të jem gruaja e tij deri në fund të jetës”, - është shprehur Bruni. “Nuk jam martuar asnjëherë. Jam me një kulturë italiane dhe nuk do të më pëlqente të divorcohesha”, - thotë këngëtarja. Duke parë rolin e saj të ri nën hijen e presidentit, nuk ka thënë asgjë, duke shtuar se “është vetëm fillimi”. “Nuk e di se çfarë duhet të bëj unë dhe çfarë duhet të bëjë një Zonjë e parë, por e di se çfarë dua të bëj seriozisht”, - ka vazhduar Bruni, duke theksuar se asaj i pëlqejnë aventurat edhe pse “përgjithësisht nuk është kurajoze”. Çifti tashmë jeton në Pallatin presidencial Elize në Paris, një rezidencë e bukur, në stilin e shekullit XIX.
Këngë për Mbretëreshën e Anglisë
Kantautorja Bruni do të publikojë diçka shpirtërore, artistike, edhe pse tashmë zyrtarisht është bërë gruaja e presidentit francez Sarkozi. Ajo e ka çuar edhe kitarën e saj të dashur në “Elize”. Por ka qenë mjaft e vështirë ta imagjinojë që të përdorte muzikën edhe nëpër takime zyrtare duke shoqëruar të shoqin. Në fakt, sipas një të përjavshmeje britanike, kjo gjë do të ndodhë në muajin mars, gjatë vizitës zyrtare që Sarkozi do të zhvillojë në Britaninë e Madhe. Karla Bruni do të këndojë për Mbretëreshën Elisabeta II. Ish-modelja do të këndojë në fund të një banketi zyrtar që Mbretëresha do të shtrojë në sallonin e madh të Kështjellës Windsor për nder të vizitës së presidentit francez. “Mbretëresha ime” do të jetë madje edhe një pjesë e albumit të saj. “Gjithë jetën time kam pritur për dikë si ti, bota ime është më e mirë kur ti je me mua, sepse ti je mbretëresha ime”, - thuhet në disa nga vargjet e këngës. Mbretëresha Elisabeta flet një frëngjishte shumë të mirë dhe duhet ta kuptojë pa asnjë problem tekstin e këngës së Karla Brunit që gjatë vizitës zyrtare të Sarkozisë në Britaninë e Madhe do të këndohet në Kështjellën e Windsorit. “Kjo vizitë shtetërore është organizuar nga Karla. I pëlqen shumë të performojë. Do të marrë me vete edhe kitarën dhe është e vendosur të këndojë për Mbretëreshën dhe ajo e di mirë se çfarë bën”, - thuhet nga e përjavshmja britanike.
14 Shkurt 2008