Solana “optimist” për Kosovën, Ferrero “realiste”
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Havier Solana, i pyetur për rezultatin e bisedimeve për Kosovën, është shprehur se është “gjithmonë optimist”. Ndërkohë, komisionarja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Benita Ferrero Valdner, tha se përsa i përket afrimit të BE-së me Rusinë lidhur me Kosovën mbetet “realiste”. “Do të dëshiroja që me palën ruse t’i afrojmë qëndrimet, por jam realiste”, - është shprehur Valdner para takimit të përfaqësuesve të BE-së me Rusinë, që mbahet në Bërdo afër Kranjit. “Qëndrimi i BE-së është se statusi i Kosovës është i paqëndrueshëm dhe na duhet një vendim i përhershëm”, - është shprehur ajo. Ndërsa nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, është shprehur se është në dorën autoriteteve kosovare që të vendosin për pavarësinë e Kosovës, por qëndrimi i Shteteve të bashkuara të Amerikës është shumë i qartë. Bërns ka theksuar se kur Marti Ahtisari ka prezantuar planin e tij për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, Shtetet e Bashkuara menjëherë e mbështeten atë dhe kjo ishte në muajin mars të vitit të kaluar. “Që atëherë kemi pasur përpjekje të jashtëzakonshme diplomatike për të gjetur zgjidhjen e statusit të Kosovës”, - është shprehur Bërns.
14 Shkurt 2008