E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria bën “Up” në FIFA

Dash Frashëri

Edhe pa zhvilluar qoftë dhe një minutë lojë për vitin 2008, - duke mos përfshirë testin me Kombëtares B me Kazaskin të Kazakistanit – Shqipëria, falë edhe përllogaritjeve të ndeshjeve të ekipeve të tjera në botë, është ngjitur në vendin e 73-të në renditjen e përmuajshme të FIFA-s, ose shtatë vende më lart në raport me muajin janar 2008, duke përfituar edhe një bonus prej 14 pikësh.

MË SHUMË – Kombëtarja kuqezezë bëri edhe kapërcimin më të madh në renditje në raport me kundërshtarët e Grupit 1 eliminator të Zonës Europiane në Kampionatin Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Vetëm dy ekipe kanë shenjën “Up” (+): Shqipëria u ngjit shtatë vende në raport me një muaj më parë, kur në janar ishim në vendin e 80-të. Malta, kundërshtarja ynë më e lehtë, është ngjitur gjithashtu 2 vende dhe tani ndodhet në pozicionin e 134-t nga 205 federata që liston FIFA.

- 2 – Është interesant fakti se përveç Portugalisë, ekipi më i mirë i grupit tonë (vendi i 8-të në botë), që ka mbetur aty ku dhe ishte në janar 2008, tre të tjerat kanë shenjën “Down” (-): Suedia, Danimarka dhe Hungaria kanë zbritur nga dy vende secila. Suedia ndodhet në muajin shkurt në vendin e 24-t me 877 pikë, Danimarka (33, 795) dhe Hungaria (52, 598).

38 – Skuadra jonë në Europë ruajti të njëjtin pozicion. Edhe për muajin shkurt ndodhemi në vendin e 38-të nga 53 ekipe që janë të federuara në UEFA. Ekipi i drejtuar nga holandezi Ari Han ndodhet pas Letonisë (e 37-ta, me 424 pikë) dhe para Sllovenisë (e 39-ta, me 385 pikë).

ARGJENTINA – Ekipi i Lionel Mesit me shokë ndodhet sërish në vendin e parë me 1518 pikë, duke lënë pas Brazilin (1502 pikë) dhe Italinë (1484). Skuadra e Donadonit është më e mira në Europë. Dhjetëshja më e mirë ka një anëtar të ri. Greqia është ngjitur një vend duke bërë pjesë në “Top-10”, ndërkohë që Kroacia ka humbur dy vende, duke zbritur në vendin e 12-të. Në dhjetë të parat janë edhe Spanja (4), Gjermania (5), Çekia (6), Portugalia (7) dhe Holanda (8).

GRUPI 1 ELIMINATOR

B E Ekipi pikë +-
8 6 Portugalia 1191 0
24 18 Suedia 877 -2
33 22 Danimarka 795 -2
52 29 Hungaria 598 -2
73 38 SHQIPËRIA 421 +7
134 48 Malta 193 +2
* B = Vendi në renditjen Botërore
* E = Vendi në renditjen Europiane

RENDITJA FIFA, SHKURT 2008

10 të parat në botë
1. Argjentina 1518 pikë
2. Brazili 1502 pikë
3. Italia 1484 pikë
4. Spanja 1352 pikë
5. Gjermania 1281 pikë
6. Çekia 1244 pikë
7. Franca 1223 pikë
8. Portugalia 1191 pikë
9. Holanda 1179 pikë
10.Greqia 1142 pikë

10 të parat në Europë
1. Italia 1484 pikë
2. Spanja 1352 pikë
3. Gjermania 1281 pikë
4. Çekia 1244 pikë
5. Franca 1223 pikë
8. Portugalia 1191 pikë
7. Holanda 1179 pikë
8. Greqia 1142 pikë
9. Anglia 1133 pikë
10.Kroacia 1096 pikë

Dhuna ndaj gjyqtarit, përjashtohet Tepelena

Asnjë mëshirë ndaj dhunës në stadiume. Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi përjashtimin e skuadrës së Tepelenës nga Kampionati i Kategorisë së Parë për sezonin 2007-2008 dhe rënien automatikisht një kategori më poshtë.
Vendimi ekstrem u mor pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit nga Poliçani, Shkëlqim Balliu, pas ndeshjes Tepelena-Pogradeci 1-1, ku u desh edhe ndërhyrja e policisë për të normalizuar situatën, pasi dhuna degjeneroi edhe ndaj lojtarëve pogradecarë.
Komisioni mori për bazë pamjet filmike dhe relacionin e gjyqtarit dhe vëzhguesin e takimit. Pas rastit të Burrelit, kur një punonjës i klubit matjan (Shpëtim Ndreu) dhunoi ish-shefin e gjyqtarëve, Sulejman Mema. Trajneri aktual i Tiranës humbi ndjenjat dhe u shtrua në spitalin ushtarak ku qëndroi disa ditë. Ndreu u arrestua dhe u dënuam me 3 muaj burg.

Laçi bllokadë Tiranës

Kashari i Laçit e “torturoi” jo pak trajnerin e Tiranës, Sulejman Mema, kur realizoi një gol të shpejtë në minutën e 9-të. 13 herë fituesve të Kupës së Shqipërisë, iu desh një pjesë e tërë loje, për të vendosur ekuilibrat në fushë falë golit të shënuar nga Daniel Xhafaj në minutën e 55-të. Edhe në takimin me Lushnjën në turin e parë, Laçi barazoi në takimin e parë 1-1, ndërsa Tirana barazoi me Butrintin 2-2 në ndeshjen e luajtur në Delvinë. Ky ishte edhe barazimi i dytë midis dy skuadrave në pesë ballafaqimet midis tyre në Kupën e Shqipërisë.

Skënderbeu ndal Partizanin

Partizani kishte fituar dy herë gjatë këtij sezoni me Skënderbeun në kampionat, madje ndeshjen e fundit para 10 ditësh, por në ballafaqimin e parë të Kupës së Shqipërisë fitoi skuadra korçare me rezultatin e ngushtë 1-0. Golin e vetëm të takimit e realizoi Çipi në minutën e 8-të. Partizani realizoi një gol me anë të mesfushorit korçar, Blendi Shkëmbi, por gjyqtari i takimit, Sino, e anuloi atë pas sinjalizimit të anësorit Shima. Kjo ishte fitorja e 6-të e Skënderbeut në 16 takime me Partizanin në Kupën e Shqipërisë. Trajneri Hasan Lika duhet të mobilizojë djemtë për të fituar me dy gola diferencë në ndeshjen e kthimit.

Pejiç thyen Apoloninë

Sulmuesi kroat, Pero Pejiç, gjen golin e parë për vitin 2008 dhe atë e realizoi jo në kampionat, por në ndeshjen e parë turit të dytë të Kupës së Shqipërisë kundër Apolonisë. Golashënuesi më i mirë i Dinamos (13 gola) realizoi në minutën 41-të për 13 herë fituesit e kupës. Gjiganti kroat lëshoi edhe një predhë në drejtim të portës fierake, por vlonjati Dine u tregua i vëmendshëm duke e grushtuar topin. Një punë e lehtë për Dinamon në ndeshjen e kthimit. Kjo ishte fitorja e 201-të e Dinamos në 340 ndeshje të zhvilluara në Kupën e Shqipërisë nga viti 1950 dhe 6 ndaj Apolonisë në 11 përballje midis tyre.

Qorri vendos në derbi

Ilir Qorri, me dy golat e tij, ishte heroi i supersfidës së Prefekturës së Elbasanit, Shkumbini-Elbasani 2-0. Nora dha sinjalin e parë, kur goditi traversën, reagoi mirë portieri Koçi. Qorri shënoi golin e parë nga një goditje dënimi në minutën e 53-të. Në të 60’, Gentian Stojku, një tjetër elbasanas fitoi penallti dhe Qorri sërish ishte i suksesshëm. Drama për ekipin e presidentit Arben Laze bëhet edhe më e madhe, teska ish-sulmuesi i Dinamos, 33-vjeçari Qorri, pasi ra parimisht dakord për të luajtur me Elbasanin në fillim të verës së kaluar para se të nënshkruante me Shkumbinin. Ndeshja e kthimit do të jetë një ferr i vërtetë për trajneri Krenar Alimehmeti i duhet të fitojë me tre gola diferencë.

Luftëtari, paqe me Besën

Luftëtari gjeti forcën qe i mungon në kampionat për të barazuar me fituesen në fuqi të Kupës së Shqipërisë, Besën e Kavajës në barazimin 1-1. Dy skuadrat shënuan nga një gol në çdo pjesë.
Gerhard Progni shënoi në minutën e 14-të golin e parë me fanellën verdhezezë të formacionit të Sulejman Starovës me një gjuajtje nga distanca. I të njëjtit klas ishte dhe goli i barazimit nga ana e Brahimit të Lufëtarit, i cili realizoi me një goditje të fuqishme nga më shumë se 35 metra për zikaltërit gjirokastritë më minutën e 48-të. Kualifikimi mbetet në letër i hapur, por favorite për të kaluar në çerekfinale mbetet Besa.

Vulosin 23-vjeçarët Oria(n)d

Oriad Beqiri dhe Oriand Abazaj regjistruan emrat e tyre ne barazimin 1-1 në Vlorë në takimin Flamurtari-Kastrioti. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura edhe pse djemtë e Memushit u përpoqën jo pak. Dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Oriad Beqiri (mbush 23 vjeç, më 21 shkurt) realizoi me anë të një goditjeje me kokë në trekëndëshin e majtë të mbrojtur nga portieri Tafaj. Dymbëdhjetë minuta më pas, ishte 23-vjeçari Oriand Abazaj që me golin e tij të në të 59’ vendosi ekulibrat në fushë dhe i dha një barazim të çmuar trajnerit Vasil Bici. Ky ishte edhe barazimi i tretë midis dy ekipeve në 6 ndeshje.

Asgjë me vlerë në Cërrik

Teuta, 3-herë fituese e Kupës së Shqipërisë, reflektoi formën e saj jo të mirë në fushën e vështirë të Turbinës. Cërrikasit e drejtuar nga tiranasi Bardhyl Minxhaj ia dolën të mbyllnin një barazim pa gola në fushën sportive “Nexhip Trungu”. Skuadra durrsake e drejtuar nga Kristaq Mile edhe pse e kërkoi golin e fitores ndaj skuadrës së Kategorisë së Parë nuk mundi të gjejë rrugën e rrjetës, duke e lënë gjithçka të hapur në ndeshjen e kthimit më 27 shurt, ku durrsakëve u duhet patjetër fitorja me çfarë do lloj diference për të realizuar pjesëmarrjeen e 17-të në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë në 55 edicione të tyre.

Vllaznia kalon në Lezhë

Një gol i kosovarit Ilir Nallbanit dy minuta përpara përfundimit të pjesës së parë në të 43’ dhe një traversë e goditur në minutën e 88-të nga blerja tjetër dimërore e Vllaznisë, Alban Jusufi, i siguroi i Vllaznisë një fitore të rëndësishme në transfertë, edhe pse me rezultat minimal. Formacioni i Bajkos, edhe pse kërkoi të barazojë rezultatin, nuk ia doli ndaj skuadrës së Josës, që luajti për më shumë se 20 minuta me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Albert Kaçit nga gjyqtari Beqiri. Talenti Perlleshi për pak barazoi, por gjuajtje e tij gjethi shtyllën pingule

KUPA E SHQIPËRISE
TURI I DYTË
NDESHJET E PARA

Laçi-Tirana 1-1
Turbina-Teuta 0-0
Besëlidhja-Vllaznia 0-1
Skënderbeu-Partizani 1-0
Apolonia-Dinamo 0-1
Luftëtari-Besa 1-1
Shkumbini-Elbasani 2-0
Flamurtari-Kastrioti 1-1
* Ndeshjet e kthimit do të luhen më 27 shkurt 2008.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›