KFOR-i, UNMIK-u dhe SHPK-ja, të gatshëm për sfidat ditën e pavarësisë
Institucionet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë janë të përgatitur për të ndërmarrë çfarëdolloj mase në rast të përshkallëzimit të situatës, duke mos përjashtuar as forcën vdekjeprurëse. Kjo ka qenë deklarata e zëdhënësit të SHPK-së, Veton Elshani, në konferencë për media. Ai është shprehur megjithatë se nuk pritet të ketë përshkallëzim të situatës në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe se nuk do të ketë nevojë për një reagim të tillë. “SHPK-ja, përdorimin e forcës e ka të rregulluar me parimet dhe procedurat e brendshme. Kurdoherë që rrezikohet jeta e një pjesëtari të SHPK-së apo e ndonjë qytetari, ne kemi të drejtë të përdorim forcën vdekjeprurëse”, - është shprehur Elshani. Sipas tij, policët kosovarë në ditën e shpalljes së pavarësisë do të operojnë me orar të zgjatur të punës, ndërkohë që ka përjashtuar mundësinë që këta policë t’i dorëzojnë KFOR-it kontrollin në pjesën veriore të Kosovës. “Edhe KFOR-i ende nuk ka urdhër për ta përdorur forcën vdekjeprurëse. Forca vdekjeprurëse mund të përdoret vetëm në rast të rrezikut të lartë për jetë. Por ne nuk presim që të ketë raste të tilla ekstreme”, - tha zëdhënësi i KFOR-it, Bertran Bono. Në anën tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, u shpreh se policia ndërkombëtare ka plane për sigurinë e qytetarëve pas shpalljes së pavarësisë, por ka refuzuar që t’i bëjë publike ato. “Nuk është puna ime të spekuloj për ngjarjet që nuk kanë ndodhur. Jemi të përgatitur. Policia e UNMIK-ut, SHPK-ja dhe KFOR-i do të merren me çdo eventualitet. Ata janë gati dhe kanë plane”, - ka theksuar Ivanko. Sipas tij, këto plane nuk janë diskutuar dhe nuk do të diskutohen publikisht sepse, “policia nuk i diskuton kurrë publikisht planet e veta, edhe ushtria gjithashtu”. Ndërsa zëdhënësi Aleksandër Ivanko tha se UNMIK-u tashmë e ka hartuar planin e tranzicionit, por për të nisur zbatimi i tij duhet të pritet drita jeshile nga Nju-Jorku.
14 Shkurt 2008