E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blindohet veriu nis zbatimi i planit operacional

Situata në veri të Kosovës është e qetë ndërsa policia dhe doganierët kanë zbritur në doganat e blinduara nga NATO dhe EULEX, e serbët vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada. Mëngjesin e sotëm janë transportuar me helikopter Policë të Kosovës dhe doganierë, në pikën kufitare në Bernjak në një situatë tejet të tensionuar e kur bëhet e ditur se serbët kanë vendosur barrikada në të gjitha kalimet dhe rrugët duke shtuar thasë rëre para automjeteve të KFOR-it. 

Gjendja e sigurisë është duke u mbikëqyrur rreptë nga ushtarët e KFOR-it gjerman. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar se gjithçka është duke shkuar sipas planit e ka bërë të ditur zhvillimin e një proteste nga serbët te ura kryesore e lumit Ibër. “Ekipet e përziera gjenden në kufi. Ata janë sjellë atje me helikopterë”, ëshët shprehur per Reutersit ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka konfirmuar se doganierët dhe policët kufitarë janë vendosur në Jarinë dhe në Bërnjak.

EULEX bashkë me Policinë e Kosovë do të kenë rol operues përderisa zyrtarët e EULEX do të luajnë rolin taktik. Ndërkaq qytetarët e komunës së Leposavicit që nga ora tetë e mëngjesit janë mbledhur në një numër të madh afër vijës administrative ku ndodhet kufiri me Jarinjën. Ata janë jashtë telave të KFOR-it për shkak se trupat ushtarake ju kanë bërë me dije se nëse afrohen më shumë së 100 metra do të qëllohen. KFOR-it ka mbledhur një arsenal të tërë armësh dhe ka bërë një bazë të madhe ushtarake, shkruan sot Tanjug. “KFOR, stop – përndryshe ju qëllojmë”, lexohet në dy gjuhë mbi trarët ndarës. Megjithatë qindra serb janë duke udhëtuar me autobus në drejtim të këtyre dy pikave që janë në kontroll të plotë të qindra ushtarëve gjerman dhe francez. Por Serbët që kanë formuar edhe shtabin e krizës kanë paralajmëruar tensione dhe përdorim të dhunës, nëse Prishtina merr nën kontroll dy pikat kufitare.

“Po përjetojmë rrëmbimin e gjësë më të shenjtë për ne. Serbia nuk ka tokë më të shenjtë se Kosovo dhe Metohija. Sic ka njeriu shpirt e zemër cfarë kemi më të shenjtë në historinë, e kulturën tonë, në besimin tonë ? Ajo është Kosova dhe Metohija," deklaroi gjatë meshës në Mitrovicë patriarku Irinej duke u bashkangjitur thirrjeve nacionaliste e politike dhe motivin fetar .

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›