E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

24 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit, Berisha: Frymëzim për shqiptarët! Të ngrihemi në protesta për të rrëzuar këtë regjim

Në 24-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, kreu i Partisë Demokratikë, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, i ka bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin shembullin e tij dhe të ngrihen në protesta për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

I pranishëm në homazhet e zhvilluara për Hajdarin pranë memorialit “Heroit të Demokracisë”, Berisha akuzoi kryeministrin Rama ka vendosur në kontroll të plotë të gjitha pushtete në vend dhe se ka rikthyer monizmin.

“Pasardhësi i bllokmenëve hoxhistë, deshendenti direkt i njeriut që firmosi varjen në litar të disidentit Havzi Nela është sot në pushtet dhe duke rrëmbyer votën e shqiptarëve. Ka vendosur në kontroll të plotë të gjitha pushtete në këtë vend dhe ka rikthyer kështu monizmin e plotë. Në këtë kontekst, vepra e Azem Hajdarit është një frymëzim i madh për shqiptarët, për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe demonstrata dhe për të rrëzuar këtë regjim, i cili qëndron mbi votën e vjedhur, mbi votën e rrëmbyer të shqiptarëve, qëndron mbi lidhjet e tmerrshme me krimin dhe drogën, qëndron mbi varfërimin e frikshëm progresiv të shqiptarëve, qëndron si një vasal i Beogradit, qëndron si një antishqiptar i vërtetë, si një armik i egër, si një armik i egër i lirive, të drejtave, qenies, identitetit të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ndaj dhe është një rast të evokoj përsëri sot, t’u bëj thirrje shqiptarëve, të përmbushim misionin tonë, siç e përmbushën Azem Hajdari dhe studentët në vitet ’90”, tha Berisha.

Azem Hajdari, ish-deputet dhe ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, u vra më 12 shtator 1998, në Tiranë në moshën 35-vjeçare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›