E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit, Begaj: Sulmi kibernetik, dëshmi e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon

I pranishëm në Bërdo të Sllovenisë, ku po mbahet sot (12 shtator) samiti i Procesit të Brdo-Brijunit, Presidenti Bajram Begaj e ka vënë theksin te rreziku që i kanoset rajonit nga aktorë të tretë. Begaj u ndal te sulmi kibernetik i Iranit ndaj vendit tonë, duke e cilësuar si dëshmi të kërcënimit real që paraqesin këta “aktorë të tretë” për rajonin.

Për këtë arsye, sipas Begajt, nevojiten vendime të guximshme për të ruajtur stabilitetin dhe se zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen.

“Ashtu siç tani është më e qartë se kurrë, aktorët e tretë janë një kërcënim real për evropianizimin e rajonit, duke e bërë më të qartë arsyen përse nevojiten vendime të guximshme, për të ruajtur stabilitetin dhe bazën strategjike të BE-së në Ballkan. Para disa javësh, dhe sërish dy ditë më parë, Shqipëria ishte nën sulme të rënda kibernetike, të kryera nga aktorë të lidhur me shtetin iranian. Sulmet kishin nën shënjestër të dhënat e qeverisë, sistemet e sigurisë kufitare dhe ndërprenë shërbimet qeveritare digjitale për një farë kohe. Kjo ishte goditja e fundit e një liste arsyesh, përse Shqipëria ndërmori veprimin ekstrem të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Një aktivitet i tillë malinj është dëshmi e padiskutueshme dhe e bazuar në faktet e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon”, u shpreh Begaj.

Në Bërdo të Sllovenisë mbahet sot samiti i Procesit Brdo-Brijunit, ku në fokus të diskutimeve do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Të pranishëm janë presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›