Haradinaj, qytetar nderi në Gjirokastër
Bashkia e Gjirokastrës vlerësoi dje me titullin "Qytetar nderi" kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me motivacionin "Për kontribut të shquar në luftën për çlirimin e Kosovës, fitoren e pavarësisë dhe rindërtimin e vendit". Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në galerinë e artit, "Gjin Zenebishi", në kalanë e Gjirokastrës, ish-kryeministri i Kosovës u shpreh se ndihej i obliguar që mori këtë titull nderi nga qyteti i trashëgimisë botërore të UNESKO-s. Ai iu referua ngjarjeve të ndodhura 10 vjet më parë në Kosovë, kur mijëra qytetarë u shpërngulën me forcë nga trojet e tyre dhe u vendosën për disa muaj në qytete të ndryshme të Shqipërisë. "Falë bujarisë suaj, sot Kosova po përjeton të ardhmen e saj", tha Harandinaj, duke falënderuar me këtë rast gjirokastritët, të cilët në pranverën e vitit 1999 mirëpritën me bujari mbi 5 mijë kosovarë. Gjatë dorëzimit të titullit, kryebashkiaku Flamur Bime u shpreh se "Gjirokastra ka treguar me shekuj se atdhetarët dhe patriotët i nderon ashtu siç e do kultura gjirokastrite".