Shkupi hedh poshtë propozimin për "Maqedoninë Veriore"
Zyrtarët në Shkup kanë vlerësuar si të papranueshëm propozimin për emrin e ri të Maqedonisë, ndërkohë që për këtë, reagimi i palës greke është pozitiv. Deklarata e ambasadorit grek në Uashington, Aleksandar Maljas, se për palën greke është i pranueshëm emri Republika Maqedonia Veriore, si zgjidhje për mosmarrëveshjet shumëvjeçare mes Greqisë e Maqedonisë për emrin kushtetues të kësaj të fundit, ka çuar drejt afrimit të qëndrimeve të politikanëve në Shkup. Për herë të parë dy partitë politike më të mëdha, VMRO-DPMNE në pushtet dhe Lidhja Socialdemokrate në opozitë, kanë qëndrime të përafërta për zgjidhjen e problemit disavjeçar me Greqinë fqinje për emrin. Qeveritarët maqedonas kanë hedhur poshtë propozimin e ambasadorit grek, Maljas, duke thënë se pas tij ka qëllime të fshehta. Sipas tyre, nuk është fjala vetëm për çështjen e emrit, por ky propozim prek edhe identitetin kombëtar të popullit maqedonas. Shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski, tha se "kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë nuk është vetëm për emrin dhe ky kontest ka një axhendë të fshehur, e cila tash është publike". Pala greke, sipas Milloshovskit, me anë të këtij kontesti dëshiron të dëmtojë identitetin kombëtar dhe gjuhën e popullit maqedonas dhe të qytetarëve të Maqedonisë. Çështja e emrit është gjetur edhe në axhendën e një takimi të Presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dhe kryetarit të partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev. Të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se zgjidhja e kësaj çështjeje është në interes të vendit dhe do t‘i shpejtojë proceset eurointegruese. Ndërkohë, Presidenti Ivanov ka përshëndetur gatishmërinë e opozitës për bashkëpunim. Për herë të parë pozita dhe opozita kanë qëndrim të përbashkët edhe sa i përket mbajtjes së referendumit pas arritjes eventuale të kompromisit me Greqinë fqinje. Opozita deri tash ka qenë kundër mbajtjes së referendumit.