Bllokimi i lecensave për shqiptarët, reagon PS-ja në Greqi

Dega e Partisë Socialiste të Shqipërisë në Greqi konsideron si tepër shqetësuese situatën e krijuar nga bllokimi i licencave të 22 kompanive të transportit të udhëtarëve mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Sipas degës së PS-së në Greqi, autoritetet greke kanë ngritur barriera artificiale për kompanitë e transportit shqiptare, duke i detyruar ato që të kenë partnerë grekë, teksa këta të fundit e kanë të pamundur të përmbushin detyrimet që imponon legjislacioni.
“Heqja e liçencës dhe bllokimi i punës për kompanitë shqiptare është një akt me pasoja tepër të rënda si për transportin e mijëra emigrantëve shqiptarë që lëvizin mes dy vendeve, ashtu si dhe për qindra të punësuar në Greqi e Shqipëri që mbajnë familjet e tyre duke punuar në sektorin e transportit të udhëtarëve” thuhet në deklaratën e PS-së në Greqi.
Gjithashtu PS-ja i bën thirrje Qeverisë Shqiptare që të ndërhyjë menjëherë në mënyrë diplomatike për të mbrojtur interesat e kompanive dhe mijëra emigrantëve shqiptarë që mbështeten tek ky sektor për mbijetesë ekonomike dhe për transport.