E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 120 mijë euro veshje

 

Etleva Delia

Agjentët e Antikrimi Ekonomik zbuluan dje një rast tjetër të kontrabandimit të veshjeve nga Greqia, dukë vënë në pranga 3 persona dhe hetuar 2 të tjerë. Bilanci i operacionit të koduar "Udhëtari", është sekuestrimi i veshmbathjeve pa faturë tatimore me një vlerë 120 mijë euro, konfiskimi i një autobusi të agjencisë "Euro-Interlines", si dhe i automjetit tip "Opel Vectra", me targa greke, të biznesmenit të arrestuar. Oficerët e Operacioneve Speciale kanë mbajtur në vëzhgim disa javor lëvizjet e autobusit të agjencisë së udhëtimeve, që ka kaluar nga Kakavija deri në Tiranë. Sapo është parkuar në rrugën "Jordan Misja", pranë vendit të quajtur "Nyja e Betonit", në momentin kur shoferët po zhvendosnin mallrat e kontrabanduara në makinën e biznesmenit, Shkëlqim Sadiku, policia ka ndërhyrë duke realizuar arrestimin e tyre. Sipas burimeve nga policia mësohet se janë arrestuar Shkëlqim Sadiku, biznesmen konfeksionesh, si dhe drejtuesit e autobusëve të linjës Tiranë-Athinë, Pëllumb Shelqezi e Romeo Karafili. Po kështu ka nisur hetim në gjendje të lirë për biznesmenin Kushtrim Abazaj, i cili dyshohet se i tregtonte mallrat kontrabandë, në Tregun e Medresesë.
OPERACIONI
Operacioni i koduar "Udhëtari", i Operacioneve Speciale dhe Antikrimit Ekonomik të Tiranës, ka sekuestruar konfesione, që vinin kontrabandë nga Greqia në Shqipëri me vlerë 120 mijë euro. Veshmbathjet e bllokuara nga policia mbërritën në Tiranë me një autobus të linjës Tiranë-Athinë-Tiranë, të agjencisë së udhëtimeve "Euro-Interlines", duke kaluar në doganën e Kakavijës, pa shlyer detyrimet doganore, për mallrat që ishin fshehur, poshtë tapicerisë së autobusit. Në pranga kanë përfunduar biznesmeni Shkëlqim Sadiku, 36 vjeç dhe dy shoferët e linjës Tiranë-Athinë, Pëllumb Shelqezi, 36 vjeç dhe Romeo Karafili, 44 vjeç. Biznesmeni Sadiku është arrestuar në cilësinë e personit që ka porositur dhe ka pritur mallrat kontrabandë, ndërsa sipas burimeve nga policia mësohet se biznesmenit tjetër që i tregtonte këto mallra, Kushtrim Abazaj do të procedohet penalisht në gjendje të lirë. Ndërsa është referuar për ndjekje penale si person juridik agjencia e udhëtimeve "Euro-Interlines" dhe i është kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që të nisë hetimet për 2 oficerë të Doganës së Kakavijës.

TE ARRESTUAR

1. Pëllumb Shelqezi, shofer i "Euro-Interlines"
2. Romeo Karafili, shofer i "Euro-Interlines"
3. Shkëlqim Sadiku, biznesmen

NE HETIM
1. Kushtrim Abazaj, tregtar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›