E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti që duhet bojkotuar sa më parë

Arben Malaj 

Partia Socialiste në tranzicionin e vështirë ka synuar dhe ka kontribute modernizuese në politikën ...shqiptare. Por, pas zgjedhjeve 2009, Partia Socialiste po radikalizon qëndrimet politike, duke aplikuar bojkotin pa afat të parlamentit të vendit të saj. Debati në forumet partiake për pasojat negative të bojkotit, në disa raste ishte i pamjaftueshëm, në disa raste i cunguar apo i mbingarkuar ndaj mendimit ndryshe. Bojkoti nisi edhe në mungesë të raportit përfundimtar të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR. Nuk duhet të jetë habi dhe aq më pak keqardhje për “cenim sovraniteti kombëtarë”, për një vend  që aplikohet të bëhet vend i Bashkimit Europian pse të gjithë po presin raportin e OSBE/ODIHR për këto zgjedhje. Ky raport do të ketë disa momente kryesore; identifikimin e problematikës së konstatuar në të gjitha fazat e zgjedhjeve, qartësimin e përgjegjësive të mazhorancës, opozitës, KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor për shkeljet konkrete. Raporti, qoftë edhe me gjuhë të kujdesshme diplomatike, do të japë vlerësimin politik për arritjen apo mosarritjen e standardeve. Raporti do të tentojë të ofrojë një sërë rekomandimesh për të reduktuar dhe eliminuar  përsëritjen e shkeljeve, duke i sugjeruar gjithë partive politike rekomandime përmirësuese të procesit zgjedhor, që i bëjnë të arritshme standardet. Ky raport pritet të ketë një efekt jo të vogël mbi integrimin e vendit. Presidencës suedeze të Këshillit  Europian do t’i duhet që mbi bazën e vlerësimeve të këtij raporti dhe konsensusit me të 27 vendet anëtare të BE-së, të qartësojë fatin e aplikimit të vendit tonë për t’u bërë vend anëtar i BE-së. Bashkimi Europian përpara zgjedhjeve ka theksuar në mënyrë të përsëritur se fati i kësaj kërkese është në duart e vetë shqiptarëve, në standardet e zgjedhjeve parlamentare 2009. Nëse presidenca suedeze ia kalon këtë kërkesë Komisionit Europian, pavarësisht nga koha që do të kërkojë procesi i përgatitjes së opinionit, kërkesa e Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar i BE-së, konsiderohet e pranuar. Ndërsa fitimi i statusit të vendit kandidat do të jetë një proces i mëvonshëm, jo i lehtë dhe jo i shkurtër. Kjo nuk do të thotë se automatikisht kanë rënë të gjitha konstatimet dhe vërejtjet për procesin zgjedhor, por kjo do të thotë që tërësia e tyre nuk ka krijuar argumentet e domosdoshme për bllokimin e kërkesës. Në këtë rast opozita humbet një argument thelbësor për bojkotin e saj dhe sidomos për misionin e saj në integrimin e vendit. Partia Socialiste ka vetëm një mundësi të imponojë zhvillimet politike të vendit; vetëm nëse vlerësimi ndërkombëtar për zgjedhjet sjell bllokim qoftë edhe të përkohshëm të  procesit të integrimit të vendit, vetëm në qoftë se aplikimi jonë bllokohet dhe nuk i kalon Komisionit Europian. Në këtë rast Partia Socialiste, në plotësim të misionit dhe përgjegjësisë politike për të përshpejtuar integrimin e vendit, mund të imponojë deri në zgjedhje të parakohshme. Në thelbin e tyre, këto zgjedhje të parakohshme mund të jenë një provim vjeshte për përmirësim note të standardeve të zgjedhjeve, që vendi të mos ngecë në integrimin e tij. Çdo qëndrim tjetër dhe çdo sofizëm i tejlodhur për të përligjur bojkotin do të jetë një investim shumë i keq për Partinë Socialiste. Disa parti politike, për shkak të opozitës së tejzgjatur, me qëndrimet e tyre radikale apo grindjet e brendshme të përhershme, humbasin besimin dhe mbështetjen publike, zbehin përkushtimin politik të anëtarëve dhe të të zgjedhurve të tyre. Gradualisht njerëzit e mirarsimuar, të lodhur nga mungesa e efikasitetit në opozitë dhe rënia e optimizmit për fitoren e radhës, bëhen më pak aktivë dhe fillojnë të largohen. Këto parti duke reduktuar burimet humane gjeneruese dhe cilësore, reduktojnë vetveten, ato rrezikojnë të mbeten humbëse. Partia Socialiste në opozitë duhet të fitojë nga epërsitë e vlerave të saj  dhe performancës parlamentare e publike në tërësi. Eshtë koha që edhe publikisht të theksojmë se radikalizimi është vetëvrasës për të ardhmen e politike të Partisë Socialiste. Ky bojkot duhet bojkotuar sa më parë. Partia Socialiste duhet të rikërkojë avantazhin e modernizueses së politikës shqiptare. Debati publik për opozitë institucionale, debati për të mos bojkotuar institucionet duhet të vazhdojë, pavarësisht nga mesazhet kërcënuese përjashtuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›