Djali, Pirro Çako pakt me Inva Mulën
Armand Bajrami
Sopranoja e njohur Inva Mula dhe kantautori Pirro Çako, çifti i famshëm i përfshirë që prej prillit të këtij viti në procedurat e divorcit bashkëshortor në gjykatë, do të vendosin vetë për kujdestarinë e djalit. Të paktën ky është propozimi i bërë nga pala e paditur në këtë proces, kantautori Pirro Çako. Kërkesa e tij e bërë në gjykatë, që bashkëshortët të vendosin kush do të mbajë djalin, u pranua dje nga togat e zeza të Tiranës. Gjykata e kryeqytetit i la rreth një muaj kohë sopranos së famshme të shqyrtojë propozimin e bashkëshortit të saj dhe më pas të japë deklarime në gjyq lidhur me kujdestarinë e djalit. Nëse sopranoja Mula pranon këtë propozim, atëherë do të jenë ajo dhe bashkëshorti i saj që do të caktojnë se cili prej tyre do të mbajë kujdestarinë prindërore të djalit të tyre, pas divorcit. Në 5 nëntor gjykata do të njihet me vendimin e palës paditëse, sopranos Mula.
PROPOZIMI
Mesa duket çifti Çako-Mula po tenton të mos e lënë në "dorë të gjykatës" vendimin për kujdestarinë e djalit të lindur nga martesa mes tyre. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, e cila zgjati vetëm dhjetë minuta, asnjëri prej tyre nuk ishin të pranishëm, ndërsa interesat e tyre mbroheshin nga avokatët. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se menjëherë pas fillimit të seancës, avokatja mbrojtëse e kantautorit Çako bëri të ditur propozimin e klientit të saj në lidhje me kujdestarinë e fëmijës së çiftit që po divorcohet. Në pretendimin e Pirro Çakos thuhej se do t'i propozohej palës tjetër që kujdestaria prindërore të caktohej në mirëkuptim mes bashkëshortëve. Bëhet e ditur se kryesuesja e seancës, gjyqtarja Elona Gjoka, pranoi kërkesën dhe caktoi datën 5 nëntor si datë të seancës së ardhshme. "Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e palës paditëse për t'i lënë kohë të shqyrtojnë propozimin e bërë nga ana e palës së paditur në lidhje me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore dhe shtyn seancën gjyqësore për në datë 05.10.2009", thuhej në vendimin e seancës së djeshme.
DIVORCI
Divorci mes çiftit VIP në gjykatën e kryeqytetit po shkon tashmë drejt fundit. Procesi që e shënoi seancën e parë në 22 prill të këtij viti, ndodhet tashmë në fazën e caktimit të personit që do të ushtrojë përgjegjësinë prindërore të djalit të tyre, të vetmit fëmijë të lindur nga martesa e tyre disavjeçare. Padia që "lajmëroi" zyrtarisht ndarjen e çiftit Mula-Çako u depozitua në gjykatën e kryeqytetit në 2 prill 2009. Sipas saj, Inva Mula kërkonte zgjidhjen e martesës nga Pirro Çako. Kërkesën e saj për divorc nga bashkëshorti i saj, Mula e argumentonte me faktin se ata prej vitesh jetonin larg njëri-tjetrit, pasi ajo jetonte në Paris, ndërsa Çako në Tiranë.
Kundërshtitë Çako-Mula
Ajo që është vënë re në gjithë seancat e deritanishme të divorcit mes sopranos dhe kantautorit është kundërshtia e theksuar mes tyre në lidhje me ndarjen. Ndërsa është pranuar në një nga seancat nga vetë sopranoja Mula se, "divorci mes tyre nuk ka kthim", e kundërta ka ndodhur me Çakon. Prej tij është synuar "zbutja" duke manovruar gjatë seancave me pretendime se padia e Mulës ishte e paplotë, apo se "jetesa në distancë ishte mënyrë e zgjedhur prej tyre, ç'ka nuk e përbënte jo-funksionale martesën e tyre".