Universitetet, lista zyrtare e fituesve
zirina llambro
Shpallen fituesit në shkollat e larta. Sot pritet afishimi i të gjitha listave në shkolla. Gazeta publikon të plotë emrat për të gjithë Fakultetet e Universitetit të Tiranës dhe në rrethe. Gjithashtu pritet që Ministria e Arsimit të publikojë datat që do të kenë në dispozicion maturantët për të kryer procedurat e regjistrimit paraprak. Edhe nëse nuk u pëlqen dega, këtë procedurë ata duhet ta bëjnë patjetër. Kjo, pasi për ta ekziston një shans tjetër për të fituar në një preferencë më të mirë. Këtë do t’ua mundësojnë të gjithë ata nxënës, të cilët njëkohësisht kanë aplikuar edhe në universitetet e huaja dhe do t’i vazhdojnë atje studimet. Ata nuk do të paraqiten në fazën e parë të regjistrimeve, duke krijuar kështu kuota të parealizuara. Prej tyre do të përfitojnë kandidatët që janë shpallur fitues në një preferencë të ulët, por duke mbetur një vend bosh në një preferencë më të lartë, programi automatikisht do t’i ngjisë ata në degën e kërkuar. Por domosdoshmërisht kandidatët duhet të kenë bërë regjistrimin paraprak në fakultetin ku fillimisht kanë fituar. Me rregullimin e këtyre lëvizjeve do të mundësohet edhe zbritja e vijës së fituesve, që nuk janë shpallur si të tillë në fazën e parë të pranimeve. Ata do të zënë vendet e mbetura bosh si pasojë e spostimeve të preferencave. Nëse do të rezultojnë sërish kuota të parealizuara, pas fazës së dytë të regjistrimeve do të zbatohet procedura e shpërndarjes së tyre nëpërmjet një tjetër formulari preferencash, që do të plotësohet nga maturantët, që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi. Kjo praktikë do të ndiqet veçanërisht për universitetet e rretheve, që vazhdimisht kanë numrin më të lartë të degëve me kuota të paplotësuara.
LISTA E PLOTE MUND TE LEXOHET NE FORMATIN PDF