Tentoi të vriste vëllanë, arrestohet 31-vjeçari
LEZHË- Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 31-vjeçar, të akuzuar për tentativë vrasje ndaj të vëllait. Sipas burimeve zyrtare mësohet se shtetasi Ndue Kola është ndaluar në kuadër të një operacioni të koduar "Shiu i rrëmbyer". Arrestimi u bë në banesën e tij në Klos të Komunës Fanë të rrethit Mirditë.
Ky shtetas në orët e vona të së dielës ka tentuar të vrasë me armë zjarri vëllanë e tij, A.Kola, për motive që policia i cilëson të dobëta. Teksa tentoi të vriste vëllanë ai ka kanosur me armë gjithë familjen e xhaxhait të tij. Nën kërcënimin e armës, ai i ka detyruar ata të dalin nga shtëpia dhe të rrinë jashtë, duke e gdhirë natën në shi.
Policia thotë se bashkë me këtë ngjarje po hetohet për të dokumentuar një vjedhje lokali në këtë zonë, për të cilën akuzohet i ndaluari i mësipërm. Aktualisht mbi të rëndon akuza e 'vrasjes së mbetur në tentativë' dhe 'armëmbajtje pa leje'.