Arratia e Ilir Kumbaros fut në ngërç gjykatat në Tiranë e Londër
Dështon seanca në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për shkak të mungesës së një përgjigjeje nga homologët në Londër. Gjyqi për ekstradimin e tij në Londër, në udhëkryq
Tiranë Procesi gjyqësor për zhdukjen e Remzi Hoxhës prej muajsh ka mbetur pezull, pasi autoritetet britanike ende nuk kanë një përgjigje për Ilir Kumbaron, një nga të akuzuarit e këtij procesi. Pas “zhdukjes” së Kumbaros në Britaninë e Madhe, procesi duket se ka mbetur peng dhe do të vazhdojë kështu derisa gjykatat britanike të marrin një vendim për të. Me gjithë kërkimet, asnjë institucion në Britaninë e Madhe nuk ka dijeni për vendndodhjen e ish-oficerit të lartë të SHIK-ut, i cili kërkohet për rrëmbim personi dhe tortura me pasoja të rënda. Seanca e djeshme ndaj ish-zyrtarëve të lartë të SHIK-ut ka dështuar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda është në pritje të letërporosisë, dërguar autoriteteve të drejtësisë në Londër për dëshminë ose ekstradimin e Kumbaros. Tashmë, me arratisjen e Kumbaros kanë mbetur pezull si procesi i ekstradimit të tij nga Gjykata e Londrës, ashtu edhe procesi për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në Tiranë. Seanca e djeshme u shty, pasi prokurori i çështjes kërkoi të pritej përgjigja e letërporosisë së dërguar muaj të shkuar në Londër, kur Ilir Kumbaro ishte i lirë, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi urdhër-arrestin e lëshuar ndaj tij. Kjo përgjigje po mban pezull gjithë procesin ndaj të akuzuarve për rrëmbim të trefishtë të shtetasve Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Por pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme të seancave në Shqipëri, në Londër vazhdon të mbetet mister zhdukja e papritur e Kumbaros, i cili ka humbur kontaktet me familjarët një ditë para seancës së radhës për ekstradimin ose jo në Shqipëri. Policia Metropolitane në Londër ka bërë të ditur se ende vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e Ilir Kumbaros pas urdhër-arrestit të lëshuar në datën 1 dhjetor për kapjen e tij, pasi ai nuk u paraqit në seancën e radhës në Gjykatën Uestminster, për ekstradimin në Shqipëri. Zyrtarët e policisë britanike thonë se Njësia e Ekstradimit në Scotland Yard është në kërkim të z.Kumbaro, ndërkohë që në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar janë vënë në dijeni aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar për kapjen e tij në rast se ai tenton të largohet nga Britania. Ndërkohë, djali i Ilir Kumbaros, pas një komunikimi disaditor përmes email-it, thotë për “TCh” se babai i tij është person i zhdukur. Ai refuzon të flasë për të shpjeguar versionin e familjes për zhdukjen e z.Kumbaro, kur ishte hera e fundit që ata ishin në kontakt me të dhe se çfarë kanë bërë për të ndihmuar autoritetet për gjetjen e babait. Ndërkohë, organizata “Missing People” ku listohen të gjithë personat e humbur apo të zhdukur në Britani, konfirmon se asnjë person me emrin Ilir Kumbaro nuk është regjistruar në listën e personave të humbur. Ilir Kumbaro, herën e fundit është kontaktuar një ditë përpara seancës së 1 dhjetorit nga avokati i tij, ndërkohë të nesërmen në mëngjes nuk u paraqit në seancën, e cila ishte e para pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë në Tiranë për ekstradimin e tij në Shqipëri. Historia “Kumbaro” filloi me vrasjen dhe zhdukjen e një biznesmeni dhe pasohet tani nga zhdukja e personit që kërkohet nga Drejtësia shqiptare për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gjetja eventuale e të zhdukurit Ilir Kumbaro pritet të hedhë dritë mbi zhdukjen e personit për të cilën ai akuzohet.