E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 670 mijë euro, dyshime për pastrim parash

Njësia e Inteligjencës Financiare, ngriti dyshime mbi llogaritë, kur u zbulua se ato po transferoheshin jashtë Shqipërisë

Prokuroria bllokoi llogaritë bankare, si dhe dy apartamente me vlerë 140 mijë euro. Tre persona nën hetim


TIRANË- Njësia e Task-Forcës në prokurorinë e kryeqytetit, ka bllokuar rreth 530 mijë euro dhe dy apartamente me vlerë 140 mijë euro, ndaj tre personave, pasi hetohen për akuzën e "pastrimit të parave".


Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët saktësuan se dosjet hetimore me emrat e tre personave, i janë dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda për hetimin pasuror mbi bazën e ligjit "Antimafia", ndërsa për arsye hetimore emrat e tyre nuk bëhen publikë. Burimet pohuan se vlera e 530 mijë eurove është gjetur në katër numra të ndryshëm llogarie dhe po bëhej gati për t'u transferuar jashtë Shqipërisë.


Ndërkaq, dy apartamentet me vlerë përkatësisht nga 70 mijë euro secili (140 mijë euro total) janë blerë nga dy të dyshuarit nëpërmjet transfertës së llogarisë bankare, ndërsa sipas hetuesve, ata nuk arrijnë t'i justifikojnë këto të ardhura.


"Njësia e Inteligjencës Financiare (FIU) pranë Ministrisë së Financave, ka informuar njësinë e Task- Forcës së Prokurorisë së Tiranës, se në katër numra llogarie të një banke të nivelit të dytë, në emër të disa personave, janë derdhur para të pajustifikuara dhe të dyshimta në lidhje me prejardhjen e tyre.


Menjëherë njësia e hetimit të Antikrimit Ekonomik, në Prokurori, urdhëroi degët e bankave të nivelit të dytë ku ndodheshin këto llogari, të bllokonin paratë deri në një vendim të dytë të prokurorisë apo Gjykatës. Pas bllokimit të këtyre llogarive, prokuroria urdhëroi bllokimin edhe të dy apartamenteve të blera në vlerën e 70 mijë eurove secili.


Apartamentet janë në pronësi të dy personave të hetuar, të cilët nuk kanë depozituar dokumente bindëse për prejardhjen e këtyre parave",-thuhet nga burimet zyrtare të Task-Forces. Sipas burimeve të prokurorisë, fillimisht është identifikuar një shumë prej 400 mijë eurosh të depozituara nga një shtetas shqiptar. Ai pas depozitimit kishte kërkuar transferimin e tyre jashtë Shqipërisë.


Pas informacioneve për këtë veprim, Task-Forca vendosi ngrirjen e shumës dhe fillimin e hetimeve me dyshimin e kryerjes së veprës penale të "pastrimit të produkteve të veprës penale", ose siç njihet në gjuhën e përditshme si "pastrim parash".


Vetëm pak ditë pas bllokimit të kësaj shume, FIU informoi Task-Forcën edhe për dy llogari të ndryshme bankare, me vlerë prej 130 mijë euro të dy personave të ndryshëm. Këta të dyshuar, më pas kishin transferuar nga 70 mijë euro secili në adresë të një firme ndërtuese, të cilës i kishin blerë dy apartamente në Tiranë.


Llogaritë bankare dhe apartamentet, me urdhër të prokurorit tashmë janë bllokuar dhe po i nënshtrohen hetimit për dyshimet e "pastrimit të parave".


Gjatë ditëve në vazhdim, njësia e Task-Forcës pritet t'i drejtohet gjykatës së kryeqytetit, për caktimin e masës së sigurimit "sekuestro preventive" mbi këto llogaritë bankare dhe dy apartamentet, e tre të dyshuarve për "pastrim parash".


Deri më tani seksioni i Task-Forcës së Prokurorisë së kryeqytetit, i ka referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda tri dosje për hetim pasuror mbi bazën e ligjit "Antimafia".


Dy prej këtyre dosjeve, me pesë persona tashmë i janë nënshtruar sekuestrimit me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kryeqytet, bazuar në ligjin "Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar" në vend.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›