E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata urdhëron borxhliun t'i kthejë 100 mln VEFA-s

Petraq Balliu rezulton në listën e debitorëve të ish- shoqërisë piramidale, aktualisht nën administrim


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të këshillit mbikëqyrës të firmave piramidale, urdhëroi Petraq Balliun të shlyejë borxhin prej 10 milionë lekësh të reja, ndaj ish-firmës piramidale "Vefa" që tashmë drejtohet nga administratorë të pavarur.


Gjyqtarja Elda Vrioni, me kërkesë të administratorëve të pavarur të shoqërisë "Vefa" lëshoi urdhrin e ekzekutimit të vendimit të administratorëve me nr.145 të datë 29 mars 2002. Në këtë vendim Petraq Balliu deklarohet debitor ndaj shoqërisë me vlerën prej 10 milionë lekë të reja. Sipas vendimit, një kopje e të cilit është siguruar nga "Shekulli", Balliu rezulton se ka tërhequr një shumë prej 10 milionë lekësh nga ish-shoqëria piramidale "Vefa" dhe për këtë është listuar si debitor i kësaj shoqërie.

Sipas vendimit të mësipërm, urdhërohej Zyra e Përmbarimit në kryeqytet për ekzekutimin e urdhrit të Gjykatës. "Vefa" sh.p.k. është shoqëri në administrim, dhe se Administratori i Pavarur i Shoqërisë ka paraqitur para gjykatës kërkesën për lëshim të urdhrit të ekzekutimit të vendimit të administratorëve me Nr.145 të marrë më datë 29 mars 2002.


Mbi bazën e këtij vendimi "Për shpalljen debitorë të personave fizikë apo juridikë të shoqërisë "Vefa" sh.p.k. në administrim", është vendosur në pikën 4 të tij, shpallja e shtetasi Petraq Balliu, debitor në shumën 10 milionë lekëve. Në këto kushte, gjykata çmon se kërkesa është e bazuar në ligj dhe duhet pranuar, duke lëshuar urdhrin ekzekutimit për ekzekutimin e vendimit Nr.145 datë 29.3.2002 ku shtetasi Petraq Balliu, është debitor në shumën prej 10 milionë lekë të reja"-thuhet në vendimin e gjyqtares Vrioni, e cila urdhëroi zyrën e Përmbarimit për ta ekzekutuar këtë vendim.


Ndërkaq, mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 44 të datës 21 janar 1999 shtetasi Balliu rezulton debitor edhe në ish-firmën piramidale "Kamberi" sh.p.k. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë po kjo gjykatë, lëshoi urdhrin ekzekutimit për debitorin Rrapush Xhaferri (tashmë i ndjerë) për të shlyer detyrimet në shumën prej 1 miliardë e 227 milionë lekë të reja, vendim ky që pritet të ekzekutohet nga Zyra e Përmbarimit në kryeqytet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›