Treg bankar pozitiv: norma e interesit, e pandryshuar
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e djeshme, pasi mori në analizë zhvillimet më të fundit në ekonominë e vendit, vendosi të mbajë të pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind, normën e interesit bazë të lekut. Banka e Shqipërisë sqaron se ky vendim mbështetet në parashikimet se niveli i inflacionit do të mbetet i kontrolluar dhe i ulët, rreth 3%. Norma vjetore e inflacionit gjatë muajit nëntor shënoi vlerën 2.6%, duke qenë afër objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Ruajtja e normës së inflacionit rreth nivelit të synuar prej 3% është rezultat i masave shtrënguese të marra nga BSH-ja te norma bazë e interesit, falë rritjes tri herë brenda një viti me 0,75%. Sipas BSH-së, inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë në rënie gjatë tre muajve të fundit, kryesisht si pasojë e uljes së çmimeve të lëndëve të para dhe të konsumit në tregjet botërore. Kreditimi nga bankat vazhdon të mbështesë më së tepërmi bizneset, të cilët kontribuojnë me 66% të zgjerimit të stokut. Interesat për depozitat në lekë dhe në euro, ndonëse janë ulur pas përfundimit të ofertave verore, qëndrojnë në nivele relativisht më të larta sesa një vit më parë. Njëkohësisht, normat mesatare për kredinë në lekë dhe atë në valutë kanë pësuar rritje në muajin tetor. BSH-ja konstaton një zhvendosje graduale të faktorëve të rrezikut në kahun rënës. Në këtë kuadër, BSH-ja do të analizojë me vëmendje informacionet e reja mbi ecurinë e ekonomisë, duke mbetur e gatshme të marrë masat e duhura për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në nivelet e synuara prej 3%.