Bllokohen kontratat e Diverolit

Ushtria javën e shkuar akuzoi presidentin e firmës, Efraim E Diveroli për mashtrim, duke argumentuar se ai kishte transportuar fishekë kinezë në Afganistan, pasi kishte certifikuar se ata ishin prodhuar në Hungari. Ushtria gjithashtu ka pezulluar Diverolin dhe kompaninë e tij nga kontrata të tjera federale në të ardhmen.
Vendimi për “AEY Inc”
Sipas rregullave federale, transferimi i armëve përmes kufijve ndërkombëtare në të cilat qeveria amerikane nuk është konsumatore, kërkon një licencë të Departamentit Amerikan. Një zyrtar i Departamentit Amerikan tha se duke marrë parasysh rrethanat e jashtëzakonshme, dhe aplikimet për licencë të zotit Diveroli do refuzohen.
“AEY i është nënshtruar një politike refuzimi për gjithë kërkesat e ardhshme për autorizim eksporti”, - tha një zyrtar, që nuk është autorizuar për të folur publikisht dhe kërkoi të mbetej anonim. Dy zyrtarë të tjerë, konfirmuan këtë vendim. “Departamenti Amerikan mund të bëjë përjashtime për këtë politike refuzimi, por vetëm nëse cenohet siguria kombëtare ose ka arsye të politikës së jashtme për të vepruar kështu”.
Avokati i Diverolit, Hy Shapiro, nuk ka pranuar ta komentojë vendimin në fjalë.
“AEY Inc”, ka qenë furnizues kryesor municionesh për ushtrinë dhe forcat policore në Afganistan, që kur Ushtria i dha kontratën dy vjeçare në janar 2007. Kontrata, tashmë e zgjidhur ka vlerë 298 milionë dollarë. Kompania gjithashtu ka siguruar municione dhe pajisje për agjenci të tjera federale dhe për qeverinë irakiane. Në një intervistë telefonike, vitin e shkuar, Diveroli deklaroi se bënte çdo vit biznes 200 milionë dollarësh.
Kontratat me probleme
Një hetim nga gazeta “The Times”, zbuloi se Diveroli transportonte miliona pushkë të vjetra dhe fishekë automatikësh kineze nga Shqipëria, dhe i dorëzonte këto municione në paketime të thërrmueshme dhe të dekompozuara. Kontrata dhe ligji amerikan ndalojnë tregtinë e armeve kineze. Kompania e Diverolit gjithashtu ka punuar me një kompani gëzhojash në Qipro dhe ndërmjetësi i cili ka qenë në listën federale të entiteteve që dyshoheshin për trafik të paligjshëm armësh, është regjistruar në mënyrë të fshehtë nga një nënkontraktor në një bisedë telefonike që flet për korrupsion.
Devirolit i shtohen problemet
Në fillim të marsit ai u dënua për drejtim të makinës në gjendje të dehur në Miami Beach. Në fund të marsit, përfaqësuesi Henri A Waxman, një demokrat nga Kalifornia që drejton dhe komitetin e mbikëqyrjes së reformave qeveritare, planifikoi një seancë dëgjimore me departamentin e mbrojtjes për të ekzaminuar bizneset e “AEY”.
Të enjten, një hetues i Komitetit të Kongresit Amerikan kontaktoi me një nënkontraktor në Shqipëri, i cili kishte regjistruar bisedat telefonike me Diverolin. Sidoqoftë ka të dhëna, se hetimi nga Kongresi do të vazhdojë deri në fund, ndërkohë që vazhdon dhe hetimi kriminal.
Marc D.Seitles, avokati që përfaqëson David M Packouz, terapistin masazhator të licencuar, i cili ishte dhe ish/zv president i “AEY”-së, thotë se i ka dërguar një letër Kongresit, ku bën të ditur se zoti Packouz do të flasë publikisht nëse i garantohet imunitet nga ndjekja penale. “Packouz, 25-vjeçar, u largua nga “AEY” në pranverën e shkuar, dhe nuk ka më kontakt me kompaninë që atëherë’, - thotë avokati Seitles. Ai shton se pa imunitet, “nuk mund të lejoj që klienti im të dëshmojë në këtë çështje, dhe nëse ai thirret për dëshmi do të kërkojë citimin e Amendamentit 5”
Statusi i transportimeve të mëparshme të Diverolit gjithashtu është nën pikëpyetje. Një dorëzim i planifikuar i gati dy milionë fishekëve u bllokuan në Sllovaki, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe pronarit të biznesit tjetër të tregtisë së armeve. Ndërkohë që qeveria sllovake po rishikon kërkesën e Diverolit për licencë eksporti. Ndërsa prodhuesi i fishekëve hungareze MFS2000, gjithashtu ka kërcënuar për akte ligjore. Dokumentet e brendshme të ushtrisë tregojnë se “AEY” ka blerë miliona fishekë nga kjo kompani vitin e shkuar. Drejtuesit e MFS 2000 kanë thënë se municionet ishin hungareze dhe në gjendje të mirë.
Sipas hetuesve të Pentagonit, Diveroli më vonë certifikoi që edhe municionet e tjera, të prodhuara disa dekada më parë në Kinë, ishin prodhuar gjithashtu nga MFS 2000. Kompania hungareze thotë se Diveroli ka njollosur reputacionin e saj. “MFS 2000 Inc. është absolutisht pa faj në gjithë këtë çështje’, shkruante në një mesazh në e-mail drejtori i përgjithshëm Gyorgy Karoly.
Pentagoni ka nisur të hetojë gjithë marrëdhëniet e saj të shkuara me “AEY”. Një njoftim federal i publikuar të shtunën e kaluar, thoshte se po gjurmohen dhe gjithë furnizuesit e rinj për miliona pjesë municionesh që Diveroli ende nuk i kishte dërguar në Afganistan, përfshi ata të fishekëve, raketave, mortajave dhe fishekëve të artilerisë.
Ky njoftim tregonte se Ushtria po ashpërson standardet e kontratës. Kontrata me “AEY” ka lejuar municionet të çdo lloj viti dhe nuk specifikon që paketimi duhej të bëhej në materiale që duhej t’i mbanin municionet në kushte të rrepta sigurie.
Dokumentet nga Shqipëria tregojnë se “AEY” ka blerë më shumë se 100 milionë fishekë kineze që janë magazinuar për dekada të tëra në stoqet e luftës së ftohtë. Fishekët janë prodhuar rreth viteve 60.
Diveroli më pas rregulloi që ato të ripaketoheshin në kuti kartoni, shumica e të cilave të çara dhe të dekompozuara gjatë transportimeve në zonat e luftës. Po kështu llojet e ndryshme të municioneve janë përzierë. Në disa raste municionet ishin të pista, të gërryera apo të mbuluara me një cipë.
Në kërkesën e re të Pentagonit specifikohet që municionet mund të jenë më të reja se 20 vjet, në paketime të durueshme dhe në kushte të përshtatshme. “Çdo paketim do të përmbajë të njëjtin tip ammo”- thuhet në rregullat e reja të Ushtrisë. “Materiali nuk duhet të ekspozohet ndaj papastërtive apo kontaminimeve të tjera që mund të kontribuojnë në përkeqësimin e njësisë, ose që mund të kërkojnë një pastrim nga konsumatori para përdorimit”
Një tjetër avokat i përfshirë në këtë çështje ka shprehur habinë që Diveroli, i cili ka nisur të marre kontrata federale në moshën 19 vjeç, ka arritur të vazhdojë biznesin kaq gjatë.
Sipas tij, zyra e “AEY” është bastisur nga agjentët federalë vitin e shkuar dhe kompjuterët e saj dhe të dhënat janë konfiskuar. Por autoritetet kontraktuese të Ushtrisë vazhdonin të punonin me të. “Duket sikur njëra palë e qeverisë nuk dinte se çfarë bënte pala tjetër”,- ka thënë ky avokat.