Trebickes i ndalohet ikja nga Shqiperia

Për të dytën herë, Trebicka dha dje dëshminë e tij në Prokurorinë e Përgjithshme, lidhur me aferën e mundshme të korrupsionit të denoncuar publikisht prej tij menjëherë pas ngjarjes së Gërdecit. Larg syrit të medieve, Trebicka ka hyrë në organin qendror të akuzës rreth orës 9.30 të mëngjesit të djeshëm, së bashku me disa dokumente që sipas prokurorisë vërtetojnë kontratën e tij me firmën “AEY”, në bazë të së cilës ai do të bënte paketimet e fishekëve që do shkonin për ushtrinë afgane, pas një tenderi të kryer prej Departamentit të Mbrojtjes Amerikan. Për rreth 4 orë, Kosta Trebicka, i njohur si biznesmeni më i suksesshëm i paketimeve në vend, tha para prokurorëve gjithçka dinte për çështjen, e cila i ka fillesat vitin e shkuar, kur nisi të bëjë paketimin e fishekëve të destinuar për shitje. Mësohet se Kosta Trebicka është larguar rreth orës 13.30 nga prokuroria, po larg syrit të medies, i shoqëruar nga një automjet i Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë qëndrimit prej 4 orësh, biznesmeni Trebicka mësohet se ka dhënë shpjegime të detajuara për dokumentacionin, kontratën, punën e kryer prej firmës së tij, kontaktet me ish-drejtorin e “Meico” Ylli Pinarin, ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, Diverolin dhe një sërë çështjesh të tjera që përfshihen brenda kontratës 300 milionë dollarë për blerje municionesh. Sipas burime nga prokuroria konfirmohet fakti sesi pasditen e dy ditëve më parë, kur Trebicka dëshmoi për 6 orë në prokurori, ashtu dhe dje, ai është pyetur për të njëjtat gjera, të cilat janë thelluar me më tepër detaje në dëshminë e dytë, e cila ndoshta është dhe e fundit, pasi javën e ardhshme Kosta Trebicka largohet nga Shqipëria, drejt SHBA-ve. Ky ndoshta ishte fakti që nxiti grupin e prokurorëve të marrë brenda dy ditësh dy dëshmi nga Kosta Trebicka, provat dhe faktet e të cilit sipas prokurorisë janë tepër të vlefshme në zbardhjen e një pjese të mirë të çështjes. Në shërbim të këtij hetimi, vetë Kosta Trebicka i dorëzoi grupit të prokurorëve gjithë arkivin që ai dispononte me të gjitha dokumentet, pjesë e të cilave ishte kontrata me firmën amerikane “AEY”, punën e bërë nga firma e tij për paketimin e rreth 198 baletave me fishekë, si dhe faturat e hyrjes dhe daljes së municioneve nga magazinat e tij në Rinas gjatë kohës që kontrata funksiononte normalisht. Një moment i rëndësishëm mësohet se i është kushtuar dhe shkëputjes së marrëdhënieve mes firmës që kryente paketimin dhe “Meico-s”, që sipas dëshmisë së Trebickës u shkëputën menjëherë dhe pa asnjë arsye. “Kurrë, Ylli Pinari, nuk më ka dërguar një dokument ku të më thoshte arsyet e ndërprerjes së marrëdhënieve. Kam dërguar njerëz të kontaktojnë me të, por përsëri nuk kam marrë asnjë përgjigje”- mësohet të ketë thënë Trebicka gjatë dhënies së deklarimeve në prokurori.
“Harrojnë” ta pyesin për djalin e Berishës
Prokurorët e grupit hetimor, që për dy ditë me radhë mori dëshminë e biznesmenin Kosta Trebicka lidhur me aferën e denoncuar prej tij, duket se janë përqendruar aq shumë në këtë çështje, sa pa dashur mund të kenë harruar dhe detaje që direkt apo indirekt mund të kenë lidhje me çështjen. Sipas burimeve të gazetës thuhet se një ndër detajet e harruara nga grupi hetimor është dhe takimin mes Kosta Trebickës dhe djalit të kryeministrit, gjë e cila mund të jetë anashkaluar nga prokurorët. Një informacion i tillë nuk konfirmohet zyrtarisht nga organi i akuzës, burime nga i cili thanë se z.Trebicka është marrë në pyetje për gjithçka që lidhet me çështjen e denoncuar prej tij, pa specifikuar rastin në fjalë. Të dhënat për këtë pikë janë kontradiktore, pasi burime konfidenciale thonë se gjatë dëshmisë që Trebicka dha në Prokurorinë e Përgjithshme, grupi i prokurorëve nuk e ka prekur fare çështje e takimit mes biznesmenit Trebicka dhe Shkëlzen Berishës. Një gjë e tillë ose është anashkaluar nga prokuroria për të mos thirrur në prokurori djalin e kryeministrit, ose është harruar nga pyetjet e shumta dhe çështjet e errëta që mbulojnë tregtinë e fishekëve që ndërmarrja “Meico” ka bërë me kompaninë amerikane “AEY”. Si në rastin e parë ashtu dhe në të dytin, askush nuk mohon fakti që Kosta Trebicka është takuar me djalin e kryeministrit. Një gjë e tillë është bërë publike nga vetë biznesmeni, i cili pak ditë më parë gjatë një interviste në një emision televiziv tha se “Shkëlzenin e takova në makinën e tij pranë Korpusit Universitar. Nuk kemi ndenjur më shumë se 10 minuta bashkë”. L.Bakillari