E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli kremton për NATO-n

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha dje gjatë një pritjeje me ambasadorë të huaj dhe gazetarë vendorë, se Shqipërisë I lypset në ditët në vijim një bashkëpunim i qëndrueshëm mes forcave politike, nëse ka ndërmend që ta shkurtojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Sidoqoftë, zonja Topalli ia atribuoi suksesin e marrjes së ftesës në këtë organizatë, “progresit të madh që ky vend ka bërë në një kohë të shkurtër në arritjen e standardeve” gjë që s’u ka pëlqyer aspak përfaqësuesve opozitarë të cilët po e kritikojnë mazhorancën se po përpiqet të përvetësojë frytet e një pune prej afro dhjetë vjetësh qyshkur Shqipëria u bë anëtare e “Partneritet për Paqe” si hapi I parë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Sidoqoftë dje ishte dita për të festuar dhe kryetarja e kujdesshme e Kuvendit arriti të rrezatojë një klimë vërtet paqësore dhe festive e cila u pa edhe gjatë përshëndoshjeve me pjesëmarrësit si edhe gjatë fjalës që disa prej tyre morën më pas të entuziazmuar nga atmosfera e përgjithshme. Ambasadori amerikan shprehu admirim e kënaqësi për atë çka Shqipëria arriti në Samitin e Bukureshtit, duke nënvizuar fjalët që Presidenti Bush tha në këtë Samit se, Shqipëria është një komb i madh në një Aleancë të madhe.

“Është një ditë e mrekullueshme për Shqipërinë dhe miqtë e saj,” u shpreh zoti Uithers, duke iu referuar vetë njoftimit zyrtar që shpërndau zyra e shtypit në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›