Të mbijetuarit dëshmojnë në Prokurori

TIRANË - Punëtorët e mbijetuar nga shpërthimi i fabrikës së Gërdecit, dëshmuan dje para grupit hetimor se në fabrikë punonin fëmijë dhe mungonin kushtet elementare të sigurisë në të gjitha proceset që kryheshin. Tre prej këtyre punëtorëve, Shefki Sefaj, Gëzim Gjoni dhe Ilir Ramollari, të shoqëruar dy ditë më parë në polici janë marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes “Gërdeci” lidhur me funksionimin e proceseve dhe ndarjen e reparteve në ambientet e fabrikës së demontimit të predhave e administruar nga firma “Albademil”. Përpara hetuesve, punëtorët e shoqëruar në cilësinë e dëshmitarëve, deklaruan se në fabrikën e demontimit të predhave nuk respektohej asnjë kusht i sigurisë në punë. Burime nga prokuroria thanë se tre të shoqëruarit në deklaratat e tyre kanë shpjeguar proceset që kryheshin në fabrikë dhe masat e sigurisë të cilat mungonin totalisht. Gjithashtu ata deklaruan se në fabrikë kishte dhe fëmijë të cilët i gjeje në çdo cep të saj, pa u kontrolluar nga askush. Dyshime janë hedhur dhe mbi kontrollet dhe instruktimin që ekspertë të armëve luftarake duhet të kryenin mbi punonjësit civil të fabrikës. Të tre dëshmitarët kanë pohuar faktin se nuk ushtrohej asnjë kontroll nga ekspertë, qoftë në procesin e demontimit, qoftë dhe në transportin e barutit. Në dëshminë e tyre, tre ish-punëtorët e fabrikës së vdekjes dhanë shpjegime edhe për ndarjen e barutit apo pjesëve të tjera të predhave pas demontimit. Sipas tyre nuk kishte një vend të përcaktuar për hedhjen e barutit, predhave, apo djegoreve. “Të gjitha pjesët e predhave të demontuara hidheshin në mënyrë të çrregullt”-mësohet të kenë thënë ndër të tjera në dëshminë e tyre ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit. Burime nga prokuroria thanë se këto dëshmi u janë bashkangjitur edhe dëshmive dhe provave të tjera të mbledhura gjatë fazës së parë të hetimit, duke hedhur më shumë dritë mbi akuzën e ngritur për tre të ndaluarit me urdhër të prokurorisë. Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli u ndaluan me urdhër të Prokurorisë më 17 mars për akuzën e “shkelje së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive.”