E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viron Kona, prozatori që meriton vëmendje

24/03/2010 Njohja në mënyrë të drejtpërdrejtë e për më tepër nga afër e një personi të jep shansin të shprehesh për të me objektivitet. Po kur kjo ndodh në nivele të tjera, pra kur ai është shkrimtar e ti lexues, veç kënaqësisë je i favorizuar për të qenë edhe krenar në rastet e mendimdhënieve apo më i shtrirë në përmasat e analizave.

Këtë fat e kam edhe unë në raport me shkrimtarin Viron Kona. Duke lënë mënjanë elozhet, mund të them se te Vironi bota e tij shpirtërore është ngjizur vetëm për të buruar fjalë e fjali që gjithkush dëshiron t’i dëgjojë e t’i lexojë, marrëdhënie paqësore, respekt, përkushtim e optimizëm si bashkëshort, prind, mik, shok apo edhe për këdo që këmben qoftë edhe dy fjalë të vetme me të. Edhe në situatat më të vështira ai di të vendosë ura komunikimi me gjithkënd. Natyrisht, sjellje të tilla marrin përmasa shumë më të mëdha kur manifestohen edhe në krijimtari, pasi e kalojnë kufirin e individit, gjë që prozatori Kona e përcjell te lexuesi shumë e shumë herë nëpërmjet situatave kur rrëfen në vetën e parë. Veçanërisht nëse ke pasur rastin të shfletosh disa prej librave të shumtë të këtij krijuesi, në memorie të mbeten të pashlyeshme ato te “Dëgjoma zemrën, Budapest”, “Drithërimat e yjeve”, “28 djem plus një vajzë” dhe “Yje mbi Bosfor”.

Një mëngjes Abrahami qeshi aq shumë, saqë nga lëvizjet e tij ra shishja e serumit dhe u thye me zhurmë. Kjo gjë e zemëroi shumë “tigrin”. Duke më bërë shkaktarë, ajo vjen drejt meje duke bubulluar me sytë që i shkreptijnë nga zemërimi dhe me duar të mbledhura grusht. O Zot! Ajo duket e vendosur në përdorimin e forcës. Unë pa dyshim e ndiej veten keq. Vet e kërkova. E mbusha kupën dhe ajo po derdhet. E tërhoqa fillin kaq fort, saqë ai u këput.

Çasti është vendimtar. Duhet të bëj diçka për të parandaluar një skenë të rëndë dhe të pakëndshme për këdo, mbase me pasoja jo të mira për mua.

ǒtë bëj?

Papritmas nga vazoja mbi tavolinë rrëmbej një tulipan të bardhë dhe e pres sulmin, duke rënë më gjunjë përpara “tigrit” si “Djali plëngprishës” i Rembrandtit.

Në dorën time të zgjatur përpara, shndrit tulipani i bardhë. Pra, unë e shpallë veten të mundur pa kushte.

Një çast vendoset heshtja. Heshtje e frikshme. Të gjithë në dhomë mbajnë frymën.

Befas shpërthen e qeshura e dikujt. Pastaj, aq u desh, valët e gazit vijnë duke u shtuar...

Por, për habinë e të gjithëve... o Perëndi! Po qesh edhe “tigri”! “Tigri” po qesh! Dhe dritaret dridhen, dhe...

Që prej atij çasti dhe gjatë gjithë atyre ditëve që pasuan, ajo nuk është më për mua “tigër”, por infermierja simpatike me sy të bukur me emrin “Matilda”. Nis të sillet ngrohtë dhe dalëngadalë po i zbehet pamja e rëndë. Madje, ndonjëherë, kur gjen kohë të lirë, nuk e di pse, por asaj i pëlqen të vijë e të shkëmbejë ca fjalë në dhomën ton녔 fq. 47 (“Dëgjoma zemrën, Budapest!”).

x x x

“Kur një çast Antoni dridhet nga konvulsionet, guxoj dhe përkulem mbi të, por ende pa e prekur, duar të fuqishme të policëve më mbërthejnë nga zverku dhe më flakin tutje, diku në fund të korridorit, ku ndiej se si përplasem me kyçet e mëdhenj të një qelie.” (“Drithërimat e yjeve”, f. 156”

“-Ju kam parë të shqetësuar gjithë këto ditë, - i thashë Palokës porsa ai hyri në zyrë. - Ka ndonjë gjë që nuk shkon?” (“28 djem plus një vajzë”, f. 107”.

“Kështu që duhej ta harroja atë absurditet dhe ta kaloja pa u vënë re, si një gjë pa rëndësi, sepse në të vërtetë ajo pa rëndësi ishte.” (“Yje mbi Bosfor’, f. 33).

Qenia e këtij krijuesi duket sikur është një mozaik gjithëngjyrësh, që shkëlqen deri në vezullim në të gjitha drejtimet. Kushdo që e njeh nga afër Viron Konën, besoj se do të jetë i të njëjtit mendim për përcaktimet e mësipërme, të cilat janë realiste e pa asnjë dozë teprie. Tek ai gjen personin me botë të gjerë shpirtërore, kulturë shumëplanëshe, elokuencë në të folur e në të shkruar, qetësinë e urtësinë e mendimit apo peshën e fjalës. Duket që produktet e një personaliteti të tillë krijues janë veprat mbresëlënëse te lexuesit e niveleve e fushave të ndryshme.

“Vogëlushja qeshi dhe për disa çaste shoqëroi me sy pulëbardhën, e cila me fjongon në sqep bënte rrotullime dhe figura të bukura në ajër, si t’i gëzohej fjongos së bukur dhe borë të bardhë.” (“Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”, f. 140).

“Mjekërverdhi humbi midis degëve të lisit dhe befas kërceu drejt e në zgavrën ku ndodhej mjalti me një shkathtësi të madhe, sikur të ishte një majmun i vërtetë.” (“Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë”, f. 72).

“Unë me një batiskaf të posaçëm, që do t’ia kalojë atij që u zhyt në thellësinë e Marianeve, do të kryej zbulime dhe gërmime arkeologjike në thellësinë e ujërave të liqenit të Ulzës, unë do të avancoj kërkimet arkeologjike në vendbanimet shpellore të Blazit, Nezirit dhe Këputjes, ku do të zbuloj objekte qeramike, maja heshtash, gjerdane rruazash të mrekullueshme...” (“Një udhëtim i çuditshëm”, f. 99)

Dhënësi autor te marrësi lexues, nëpërmjet faqeve të librave, që tashmë kanë arritur një shifër të konsiderueshme, afër tridhjetë dhe kurrsesi vlerat e tyre nuk mund të trajtohen në një shkrim të tillë, në mënyrë konstante përcjell mesazhe të qarta, të kuptueshme e të drejtpërdrejta.

“Kjo dosje nuk është imja, por është e ish-vartëses sime, tashmë drejtoreshë e përgjithshme e institucionit tonë, e shefes sonë të re...” (“28 djem plus një vajzë”, f. 154).

“Përpiqem të fshij me mëngë rrëkenë e hollë të gjakut që më zbret në fytyrë, ndërkohë që shoh me vëmendje rreth e qark asaj qelie të ndyrë, ku të zihet fryma nga ajri i rëndë dhe era e urinës.” (“Drithërimat e yjeve”, f. 156).

“Nëna turke vuri shaminë në sy. Nuk donte që e mbesa ta shihte me sy të përlotur. Ndërkohë valltaret tona e merrnin vogëlushen në krah apo prehër, e përkëdhelnin dhe e përqafonin fort, ndërsa fëmija u qarkonte duart e vogla rreth qafës...” (“Yje mbi Bosfor”, f. 63”.

Bota shpirtërore e prozatorit Viron Kona spikat në librat për fëmijë, ku shfaqet si një njohës i thellë i kësaj moshe për dëshirat dhe fantazinë e tyre, dhe në librat për të rritur, në të cilët shtjellon temat shoqërore e sociale, të viteve të mëparshme apo edhe të viteve aktuale, ku gjithkush nga shoqëria shqiptare gjen një pjesë të vetes dhe të realitetit që e ka rrethuar apo e rrethon.

“Skafi kishte në gojën e tij pesëmbëdhjetë klandestinë: një burrë trup himtë, që mbante brenda gjoksit dy vajza të vogla pesë- dhe gjashtëvjeçe; një çift pleqsh, që shkonin te djali i tyre, të cilin nuk e kishin parë prej vitesh; një çift të fejuarish, që gjatë gjithë kohës qëndronin shtrënguar dhe s’ia ndanin vështrimet dhe përkujdesjet njëri-tjetrit; një vajzë e re, e cila dukej qartë se bënte prostitutën; një djalosh rreth të njëzetepesave, trupgjatë e simpatik, që mbante një xhakavento me jakë të mbyllur; një lypës tetë apo nëntë vjeç dhe pesë të huaj: tre kinezë dhe dy kurdë...” (“28 djem plus një vajzë”, f. 163).

Ndër titujt e botuar është e vështire të bësh përzgjedhje, pasi secili ka peshën e vet. Por ndoshta te letërsia për fëmijë kryesimin e mban “Eh, mor Bubulino”, pa lënë mënjanë “Dardi”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve”, “Delfini e dy deteve drejt aventurave të reja”.

“Dua një kokërr lakër.

Sa të madhe e do?

Sa koka ime.” (“Eh, more Bubulino”, f. 51)

“... Bubulinoja kthehet me një pjatë, ku ndodhej një kokërr vezë dhe një pirun.

- O babi, m’i dha mami këto.

- S’kam kohë, rrihe vetë.

- Cilën të rrah, mamin?

- Ore, je në vete ti! Të thashë të rrahësh vezën që ta hash”

(“Eh, more Bubulino”, f.61)

Te librat për të rritur deri tani duket se “Drithërimat e yjeve” është aureola e “Dëgjoma zemrën Budapest”, “28 djem plus një vajzë” dhe ”Yje mbi Bosfor”.

“Shoh orën: kanë kaluar plotë shtatë orë duke ngjitur dhe zbritur shkallët. Sistemoj pllakat e fundit dhe drejtoj shpinën. Oh, sa më dhemb i gjithë trupi! Shpatullat dhe mesi po më therin tmerrësisht. Krahët dhe gjunjët nuk i kam më të mitë.” (“Drithërimat e yjeve”, f .17).

“Ata i kishin ndarë vendet e vjedhjes. Një pjesë kishin zënë që në fillim nga një autobus apo furgon dhe nuk grindeshin shumë me njëri-tjetrin. Të tjerët ishin të ndarë në grupe që vidhin çantat e grave, xhepat e pensionistëve, mallra nëpër tezgat e trotuare dhe kioskat e vogla...” (“28 djem plus një vajzë”, f. 49).

Me fantazinë që nuk i mungon asnjëherë, për t’i bërë sa më të ngrohta situatat te librat për fëmijë rolin e rrëfimtarit ai ua ka ngarkuar personazheve protagonistë, që janë vetë fëmijët, të gërshetuar gjatë dialogëve edhe me më të rriturit. Duke qenë mësues, kam pasur rastin të dëgjoj konsiderata të drejtpërdrejta pozitive nga shumë nxënës të mi për nivelin e librave të kësaj moshe të shkruar nga prozatori Kona. Ndërkohë te letërsia për të rritur misionin e rrëfimtarit e ka marrë vetë përsipër, duke u shfaqur si lëvrues me ndjenjë i situatave jetësore. Megjithatë, në çdo fragment e tregon veten si vëzhgues i përkryer i çdo fakti që i rrok syri, të cilin ka aftësinë ta riprodhojë e ta përshkruajë artistikisht si të gjallë.

Mendimet i hedh të lidhura fort me njëra-tjetrën, të plota e të renditura logjikisht e organikisht. Kjo ndodh si atëherë kur preferon të përdorë fjalitë e përbëra, ashtu dhe kur përdor dialogun apo monologun. Nga sinonimet përzgjedh më kuptimplotët, duke i vendosur me shumë kujdes për të dhënë të gjithë shtrirjen e fjalës.

Autori në fjalë thuajse në të gjitha veprat karakterizohet nga përdorimi i drejtë i gjuhës në përshtatje me qëllimin, ndërkohë që shprehjet gjuhësore përshtaten me përmbajtjen dhe rastin, me lexuesin dhe auditorin. Do të ishte naive nëse nuk arrihet të kuptohet se në gjuhën e përdorur ka një shkrirje të saj me kulturën e vet autorit.

Lexuesit ndeshen me një ligjërim që ka cilësitë e qartësisë, përpikërisë, pasurisë, pastërtisë dhe ngjeshjes në përmbajtje.

Për sa i përket organizimit të materialit, vihet re një stil ku spikat organizimi tërësor i lëndës gjuhësore dhe përdorimi i termave gjuhësorë nga fusha të ndryshme.

Toni ka forcën e duhur në përshtatje me situatat. Notat më kulmore duket se arrihen te “Drithërima e yjeve”, ku nga faqja e parë e deri tek e fundit jepet drama e intelektualit shqiptar, që pas viteve ’90 detyrohet të emigrojë në shtetin fqinj, Greqi.

“Dielli po perëndon. Gjithçka po ngrin. Guri ku jam ulur është bërë si një copë akull. Dalëngadalë vendin e dritës së diellit e zë drita e hënës. Nëpër rrugë endet heshtja. Një heshtje e ftohtë, madje më e ftohtë se temperatura e natës, që po shkon drejt zeros. Në sheshin e shkretë kam mbetur unë dhe qeni pullazi.” (“Drithërimat e yjeve”, f.8.)

Duket se Viron Kona ka krijuar një profil të vetin, duke shfrytëzuar përvojën shumëvjeçare si gazetar, publicist, mësues letërsie e prozator, pasi në shtjellimet e materialeve, si në hyrjet, pikat lidhëse, zhvillimet, arritjet e pikave kulmore, zgjidhjet apo mbylljet, përdor figura të pasura letrare, njësi frazeologjike, sinonime, enumeracione, shkallëzime etj.

Ngarkesat emocionale i realizon në mënyrë graduale edhe kur ka thyerje kohore, duke lidhur natyrshëm faktet historike me kohët e zhvillimit të ngjarjeve apo të ditëve në vazhdim.

“Policët më shohin nga xhamat se si vrapoj dhe diçka u shkon në mendje. Ulin shpejtësinë dhe presin që unë t’u afrohem. Vrapoj akoma më shumë, duke shpresuar se do të marr pasaportën, po kur jam fare pranë, makina niset. Vazhdoj vrapimin me të gjitha forcat që më kanë mbetur. U lutem me zë të lartë dhe me lëvizje të duarve. Ata ndalin përsëri. U afrohem dhe zgjas dorën te xhamat, por policët vetëm zgërdhihen me njëri-tjetrin dhe befas e nisin përsëri makinën. Dora më mbetet pezull në ajër dhe në çast e kuptoj se policët po tallen me mua...” (“Drithërimat e yjeve”, f. 49)

Natyrisht, shprehjet e figurshme, kur janë të goditura, ngjallin ndjenjën estetike te lexuesi. Mjediset, personazhet, përshkrimet, ndjenjat duket se janë në sinkron të plotë me njëra-tjetrën. Rendi i fjalëve është i drejtë, duke nxjerrë kështu forcën e mendimit.

“Ul arkën me portokaj dhe pres. Nuk m’u desh të pres shumë. Ata më hidhen sipër. Ndiej të më shtrëngojnë dhe të më gërvishtin krahët, zverkun, qafën, shpatullat. Po më zënë frymën me peshën e tyre. M’i kthejnë duart prapa sa s’m’i thyejnë dhe pas pak mbi to ndiej metalin e ftohtë të prangave. “Pse, pse kështu, ç’kam bërë?” – bërtas. Përgjigjja është një shkelm i fortë i shoqëruar me britma... “Ai është njeri i mirë, ai e do Greqinë, - dëgjoj më në fund një zë. - Ai merr vesh me fjalë. Ai është mësues në vendin e tij, ka fëmijë të vegjël...” (“Drithërimat e yjeve”, f. 148).

Është modesti e tepruar të pretendohet se vlerat e krijuesit Viron Kona mund të trajtohen në një shkrim të vetëm, qoftë ai i përmasave edhe më të mëdha se ky. Gjithsesi, ai meriton të jetë në qendër të vëmendjes së lexuesve, të cilët sigurisht do të befasohen nga çfarë do të gjejnë në faqet e titujve të tij.

Ambasada italiane

Nis “ExpoScuola - DireFuturo”

Në kuadër të sezonit të eventeve “Italia dhe Shqipëria 2010 – dy popuj, një det, një miqësi”, u inaugurua “ExpoScuola – DireFuturo”, iniciativë kjo që ka për qëllim t’i japë më shumë impuls shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet studenteve dhe profesorëve shqiptarë dhe italianë. Në këtë ceremoni morën pjesë përveç ambasadorit italian Saba d’Elia edhe zv.ministri i Arsimit Halit Shamata dhe eksponentë të tjerë të rëndësishëm të sektorit të arsimit. Protagonistët e kësaj dite ishin studentët shqiptarë dhe italianë të shkollave tekniko-profesionale. Nxënësit e institutit teknik “Tosi” di Busto Arsizio (Lombardia) paraqitën eksperiencat e tyre mbi simulimin e sipërmarrjeve dhe ndërthurjen shkollë-punë. Nxënësit e shkollës hoteleri turizëm të Tiranës, përveç përgatitjes së pjatave të shijshme për vizitorët e ekspozitës, u përqendruan në ushtrime praktike salle dhe kuzhine. Edhe shkolla e ndërtimit “Karl Gega”, ajo tekniko-profesionale e Tiranës “Gjegj Canco” (me drejtim tekniko-elektrik) gjatë dy ditëve do të ekspozojnë punimet e tyre më interesante. Në fjalën e tij ambasadori Saba d’Elia nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit italo-shqiptar në fushën e arsimit dhe ilustroi shkurtimisht aspektet më kryesore të kësaj nisme, duke u dërguar një përshëndetje të veçantë studentëve të pranishëm dhe atyre të lidhur në videokonferencë nga Toskana për të dhënë kontributin e tyre në këtë veprimtari. Zëvendësministri Shamata falënderoi qeverinë italiane për mbështetjen e saj të vazhdueshme në sektorë të ndryshëm të bashkëpunimit dypalësh si dhe ambasadën italiane në Tiranë për organizimin e sezonit të eventeve “Italia dhe Shqipëria 2010 – dy popuj, një det, një miqësi”, duke theksuar se në fushën e arsimit formimi profesional përbën një nga prioritetet e qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›