Bllokohet aplikimi për dokumente të reja identifikimi
Bllokohet procesi i pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta biometrike në zyrën e aplikimit pranë Bashkisë së Korçës. Ata që e vuajnë më shumë këtë anomali janë emigrantët. Qindra të mërguar nga Korça që kanë ardhur me pushime në këtë sezon vere, duan ta shfrytëzojnë qëndrimin e tyre edhe për t‘u pajisur me dokumente të reja identifikimi, kryesisht pasaporta biometrike, por ata nuk arrijnë t‘i kryejnë procedurat. Prej disa ditësh, emigrantët e interesuar qëndrojnë në radhë para dyerve të zyrës së aplikimit dhe nuk arrijnë të mbarojnë punë. Kjo situatë e rënduar prej të paktën 4 ditësh me bllokimin e procesit, ka sjellë sërish radhë për emigrantët, këtë herë jo në doganë, por në zyrën e aplikimit. Kjo gjendje problematike ka ardhur pasi numri i operatorëve që kryejnë procesin e aplikimit është ulur ndjeshëm dhe ndërkaq nuk funksionon normalisht rrjeti kompjuterik dhe sinjali i internetit. Nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Arjan Bejko, ka dalë në një konferencë për shtyp, për të sqaruar këtë gjendje që, sipas tij, nuk është aspak përgjegjësi e institucionit të pushtetit lokal. Ai ka fajësuar për këtë kompaninë private të kontraktuar. Numri dy i Bashkisë së Korçës tha se "nga ana e bashkisë nuk ka asnjë detyrim në këtë proces, pasi janë afruar vetëm ambientet për kryerjen e këtij procesi, pa ndonjë detyrim tjetër. Përgjegjësia i takon kompanisë private, që duhet të sigurojë operatorët e nevojshëm në punë dhe mbarëvajtjen e logjistikës", tha Bejko. Nga njëra anë, reduktimi i numrit të operatorëve në punë nga 10 që ishin në fillim në 2 aktualisht, si dhe nga ana tjetër defektet e shpeshta në sinjalin e internetit kanë sjellë një gjendje të rënduar dhe pritje me orë të tëra para zyrës së aplikimit. Bejko kërkoi nga kompania private, që të rivihen në punë operatorët e nevojshëm për të përballuar këtë fluks njerëzish, të cilët kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile që të normalizojë sinjalin e internetit. Shkëputjet e vazhdueshme të këtij sinjali në një kohë që janë në punë vetëm dy operatorë përballë dhjetëra e dhjetëra njerëzve që kërkojnë të kryejnë procedura për pajisje me dokumente të reja identifikimi, ka bërë që dyert e zyrës së aplikimit pranë Bashkisë së Korçës më shumë të qëndrojnë të mbyllura. Dhe pas tyre, grupe të mëdha njerëzish që ankohen se ndërsa kanë ardhur nga Greqia për të kaluar disa ditë pushime u duhet të qëndrojnë në pritje të gjata për të kryer formalitetet e pajisjes me pasaporta biometrike.