Bllokohet në Trieste trageti me 200 shqiptarë, frikë nga gripi i derrit
Një anije shqiptare është ndaluar nga autoritetet portuale të Triestes në Itali për disa orë me radhë për shkak të dyshimit se një nga pasagjerët mund të jetë i infektuar me gripin e derrit. Anija e nisur nga Porti i Durrësit në orën 21:00 të ditës së diel, ka mbërritur në portin e Triestes rreth orës 6 pasdite. Por rreth 200 pasagjerët nuk janë lejuar të zbresin nga trageti, pas më shumë se një dite udhëtim, për shkak se mjekët italinë të portit kanë dyshuar se një nga pasagjerët ka shfaqur shenja të virusit AH1N1. Mjekët italianë, duke parë shenjat e një shqiptari të moshuar, i cili udhëtonte për në Trieste, e kanë shoqëruar atë për në spital dhe kanë kërkuar nga pasagjerët e tjerë të mos zbresin në tokën italiane. Sipas pasagjerëve, deri dje rreth orës 10:00 të natës, pra më shumë se 4 orë nga mbërritja e tragetit, autoritetet italiane nuk i kanë dhënë një përgjigje se çfarë do bëhet me ta. Sipas tyre, janë diskutuar disa mënyra, një ndër të cilat është edhe rikthimi i të gjithë tragetit sërish në Portin e Durrësit. Por gjithçka pritet të vendoset pas përgjigjes së analizave që do kryhen në spitalin e Triestes. Deri në daljen e analizave, situata në anijen shqiptare në portin e Triestes pritet të jetë e njëjta. I kontaktuar nga mediat, një nga pasagjerët tregoi se pas rreth 4 orësh pritjeje, pasagjerët kanë filluar të nervozohen. Në anijen me 200 pasagjerë, ku ka edhe disa familje me fëmijë, situata është bërë shumë e nderë, edhe për shkak të frikës së infektimit. Autoritetet italiane deri tani nuk kanë dhënë një përgjigje të saktë se çfarë do të bëhet me pasagjerët. Sipas tij, pasagjerët kërkojnë ndihmë nga autoritetet diplomatike shqiptare në Itali për zgjidhjen e situatës. E kontaktuar nga media, Konsullja shqiptare në Itali, Nausika Spahia, theksoi se nga kontaktet e saj me autoritetet italiane, këta të fundit kanë theksuar se pasagjerët në orët e mbrëmjes janë lejuar të zbarkojnë. Sipas saj, kapiteneria e Triestet ka hedhur poshtë aludimet e pasagjerëve, për një kontroll për virusin e gripit të derrave. "Anija iu nënshtrua një kontrolli të stërzgjatur. Nuk ka pasur ndonjë ndalesë. Pasagjerët u lanë të lirë. Nuk pati ndojnë rast dyshimi. Ishte vetëm një kontroll më i zgjatur sesa ai rutinor. Kishte vetëm probleme burokratike, jo probleme me qytetarët shqiptarë. Mua nuk më është konfirmuar nga porti i Triestes asnjë rast kontrolli mjekësor nga kapiteneria e portit".